Lajçak pas takimit me Kurtin: Koha për progres në dialogun Kosovë-Serbi.     Foto: RTK

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se tani është koha e duhur për progres në dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçak ka thënë se gjatë takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, është ripërsëritur thirrja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje.

Ai ka thënë se janë duke punuar për çështjen e normalizimit të raporteve, teksa shtoi se “nuk ka më kohë për të humbur”.

“Është e rëndësishme që situata është rikthyer në normalitet”, ka thënë Lajçak.

Lajçak ka theksuar se në këtë takim është diskutuar edhe për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen në katër komunat veriore.

“Duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe jemi duke punuar për takimet në nivel të lartë. Nuk kemi kohë për të humbur. Gjithashtu, kemi folur edhe për situatën në veri. Po ashtu edhe për çështjen e energjisë”, ka thënë ai.

Për kthimin e serbëve në institucione, Lajçak ka thënë se e njëjta temë është diskutuar edhe gjatë takimit të tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“E diskutova dje me Vuçiqin dhe sot ia prezantova Kurtit se kemi një vakuum të sigurisë. Nuk është e mirë për askënd, as për njerëzit, shpresoj të kthehen dhe situata të kthehet në normale”.

Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi dhe se në mars 2023 do të arrihet marrëveshja finale, ai ka thënë se “ne nuk dëshirojmë të vonojmë, momentumi është tani, nuk i kam dëshirë afatet e caktuara, por jemi duke ecur përpara për progres në dialog”.

TRT Balkan / agjencitë