Lajçak: Statusi i komunave veriore të Kosovës sipas standardeve të BE-së.     /Foto: AA 

Formimi i një bashkimi të komunave me shumicë serbe në Kosovë për Beogradin zyrtar është gjëja më e rëndësishme në negociata, ndërsa Prishtina zyrtare këtë ide e vlerëson si një përpjekje për forminin e një Republika Sërpska të dytë pas asaj në Bosnjë e Hercegovinë, andaj edhe e kundërshton.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, në një intervistë për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve të Kroacisë - Hina, ka deklaruar se statuti i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të jetë "i pranueshëm për të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane”. Ai këtë deklaratë e ka dhënë para takimit të sotëm mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ku edhe pritet t'u prezantohet draft-statuti i komunave në veri të Kosovës, i cili është një pikë kyç e negociatave.

"Ekipi menaxhues do të prezantojë draftin. Nuk e dimë se çfarë është në të, por duhet të jetë fillimi i procesit. Në fund të fundit, ne duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, për Kosovën dhe Serbinë, në përputhje me Standardet evropiane, ky është hapi i parë i rëndësishëm”, tha Lajçak.

Ekipi menaxhues parashihet në Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga viti 2013, me qëllim të shkrimit të statutit për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ai përbëhet nga katër persona të stacionuar në Kosovë, të cilët zyrtarisht janë angazhuar nga qeveria e Kosovës, por janë emëruar nga komunat me shumicë serbe. Prej se emisari Lajçak mori detyrën në prill të vitit 2020, nuk ka pasur asnjë aktivitet të ekipit menaxhues.

"Kjo është hera e parë që ne do të shohim punën e tyre”, tha Lajçak,

Për Beogradin, formimi i një bashkimi të komunave me shumicë serbe është gjëja më e rëndësishme në negociata, ndërsa Kosova, nga ana tjetër, po përpiqet ta pengojë atë bashkim të ketë kompetenca ekzekutive, duke theksuar se nuk dëshiron diçka të tillë si Republika Srpska në territorin e saj.

Në një bisedë të fundit me HINA-n, kryeministri i Kosovës Kurti tha se nuk e kishte parë ende propozimin e statusit, por theksoi se nuk do të lejonte krijimin e një forme të Republikës Sërpska në veri të Kosovës, respektivisht “një parashteti satelitor me thelb shkatërrues që do të minonte shtetësinë e Kosovës”.

I pyetur për të komentuar atë deklaratë, Lajçak tha: "Republika Sërpska u krijua gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Në atë kohë, prioriteti urgjent ishte ndalimi i luftës, dhe tani ne nuk jemi në kohë lufte, kështu që nuk kemi nevojë për zgjidhje të tilla”.

Takimi i 2 majit në Bruksel, thotë ai, duhet të jetë “fillimi i procesit të hartimit të statutit të komunitetit të komunave serbe, por edhe fillimi i zbatimit të elementeve të tjera të marrëveshjes së 27 shkurtit”.

TRT Balkan / agjencitë