Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, një ditë pas sulmit mbi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe disa kolegë të tij mbetën të lënduar (plagosur), në Facebook shkruan se në ditët në vijim do të fokusohet plotësisht në gjetjen e një rruge përpara.
Sulm i tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës, siç shkruan ai, thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues. Për Lajçakun sulmi i djeshëm ndaj Policisë së Kosovës është një akt qyqar i dhunës thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit.
“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork”, shkruan Lajçak.
Këtë koment Lajçak e bëri pas kthimit nga OKB-ja, ku mori pjesë në sesionin 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.