Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është liruar për qarkullim pika kufitare "Merdare" që lidh Kosovën me Serbinë.
Policia bëri të ditur se barrikada e cila ka qenë e vendosur në anën serbe, në afërsi të pikës kufitare "Merdare" tani është larguar.
“Bazuar në informacionet e fundit, rruga e cila ishte bllokuar me 27.12.2022 në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim. Andaj, njoftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tani se pikë kalimi kufitar “Merdare”, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë”, thuhet në kumtesën e Policisë.
Kjo pikë kufitare shkaktoi bllokim të qarkullimit sidomos për kosovarët që jetojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe që janë nisur për në Kosovë për të kaluar ditët e fundit të vitit pranë familjeve.
Sot pritet po ashtu të largohen edhe barrikadat tjera të vendosura në territorin e Kosovës nga 10 dhjetori.
Vendimi për heqjen e barrikadave nga rrugët është marrë pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandr Vuçiq, të mbajtura në Rashkë, një qytet serb jo larg kufirit me Kosovën.
Kushtet për heqjen e barrikadave u krijuan pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e zëvendësoi masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Po ashtu, edhe Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja dje njoftuan se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë, ku së shpejti do të gjendet një zgjidhje për të qetësuar situatën.