Lupço Palevski-Pallço, i akuzuari i parë për vrasjen e dyfishtë të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi, është ekstraduar në vend, konfirmojnë sonte MPB-ja dhe Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut.
Pas aterimit në aeroportin e Shkupit, Palevski është transferuar menjëherë në burgun hetues “Shkup” në Shutkë.
Ai u arrestua vitin e kaluar më 6 dhjetor në Balikesir Türkiye, në përpjekje për t'u arratisur.
Lajmin e ka konfirmuar ministri i Drejtësisë Krenar Lloga në Facebook.
“Në emrin tim dhe në emër të Ministrisë së Drejtësisë, shprehim mirënjohje të madhe për autoritetet turke, veçanërisht për ministrin e Drejtësisë së Republikës së Türkiye, Yilmaz Tunç, për reagimin e shpejtë dhe marrjen e të gjitha masave për ekstradimin e Lupço Palevskit. E gjithë procedura u krye në një periudhë relativisht të shkurtër prej më pak se pesë muajsh, kjo është një shenjë e mirë për shoqërinë dhe një mesazh që drejtësia do t'ju arrijë kudo që të jeni!”, ka shkruar Lloga në Facebook.
Informacionin për ekstradimin e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin se sot (15.05.2024) zyrtarët policorë nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me policinë turke, kanë përfunduar procesin e ekstradimit nga Republika e Türkiyes të Lupços. Për Palevskin (59) nga Shkupi është lëshuar fletarrest ndërkombëtar për hetimin e veprave penale “rrëmbim” dhe “vrasje”, sipas urdhrit të lëshuar XV KO nr. 3047/23 nga Prokuroria Themelore Publike Shkup. Personi është transferuar në Burgun KPU të Shkupit”, ka thënë MPB-ja.
Ish-politikani dhe biznesmeni dyshohet për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, e cila u likuidua në afërsi të Shkupit, ndërsa më herët hetimet dyshojnë se i njëjti grup që ka ndihmuar Palevskin ka likuiduar edhe Pançe Zhezhovskin nga Velesi.
Trupat e tyre u gjetën në të njëjtën ditë, më 3 dhjetor të vitit të kaluar - njëri në afërsi të Shkupit dhe tjetri në afërsi të Velesit. Palevski u arrestua disa ditë më vonë në Türkiye.
Në këtë rast dyshohen disa persona që e ndihmuan Palevskin në kryerjen e kidnapimeve dhe vrasjes, si dhe në arratisjen e tij nga vendi.
Pritet marrja në pyetje e tij pranë gjyqtarit hetues dhe ndalimi 30 ditor në një qeli të posaçme, ku do të jetë në një regjim të veçantë sigurie, pa kontakte me të arrestuarit e tjerë.
Për bashkëpunim në vrasje akuzohen edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Bore Videvski, të cilët ndodhen në paraburgim në Shkup. Në arrest shtëpiak është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbim.
Për këtë rast masa parandaluese është edhe Stefan Dimovski, shoferi i të dyshuarit të parë për vrasjen e dyfishtë të Vanjës dhe Pançes, i cili dyshohet se ka ndihmuar në arratisje.