Nxënësit e shkollës “International Maarif Schools Of Kosova”, Dega në Prishtinë, kanë arritur rezultate të larta në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM.
Siç njofton Maarif, nga 11 mijë nxënës të 1.200 shkollave dhe 114 shteteve të ndryshme, nxënësit e shkollës Maarif kanë arritur suksese në fusha të ndryshme.
“Kushtrim Kajoshi fitoi medalje të artë në shkencë dhe një medalje të bronztë në matematikë. Rron Shllaku fitoi medaljen e argjendtë në kodim dhe fitoi një certifikatë për arritjen e tij në matematikë. Ela Naz Yılmaz fitoi medaljen e bronztë në shkencë, ndërsa Fatbardh Mulaku, Erta Tejeci, Emir Lezi dhe Omar Gashi morën certifikata për arritjet e tyre në fushën e shkencës”, thuhet në njoftim.
Tutje, shkolla bëri të ditur se nxënësit do ta përfaqësojnë shkollën Maarif dhe Kosovën në finalen e madhe që do të mbahet në Paris në datat 18-23 korrik 2023.
“Ne i përgëzojmë të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e tyre për këtë sukses të jashtëzakonshëm”, përfundon njoftimi.
Olimpiada Ndërkombëtare STEM është një platformë ndërkombëtare konkurrimi onlajn në të cilën konkurrojnë studentët nga klasa 1 deri në 12 dhe pyetjet përgatiten në përputhje me filozofinë e edukimit STEM.
STEM është një kurrikulë e bazuar në filozofinë e edukimit të studentëve në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë në një qasje ndërdisiplinore dhe të zbatueshme, ku STEM i integron këto lëndë në një përvojë gjithëpërfshirëse të të mësuarit.