Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim homologun e tij kroat, Ivan Anushiq.
Pas pritjes me ceremoni nga Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), Maqedonci dhe Anushiq kanë zhvilluar një takim të mbyllur ndërsa më pas të dy ministrat u adresuan në një konferencë për media ku kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
Në takimin e mbajtur në Ministrinë e Mbrojtjes në Prishtinë u diskutua rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, shërbimin e trupave kroate në kuadër të KFOR-it, si dhe për kapacitetet mbrojtëse të Kosovës dhe drejtimeve ushtarake ku mund të rritet bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Kroacisë.
“Republika e Kroacisë në vazhdimësi ka mbështetur zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe të sigurisë së vendit tonë, me theks të veçantë në trajnime dhe shkollime, por edhe në aspektin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, si dhe në aspektet tjera të bashkëpunimit të fushës së mbrojtjes dhe sigurisë. Ne po ndërtojmë dhe thellojmë edhe më tej raportet në fushën e mbrojtjes me Republikën e Kroacisë dhe në vazhdimësi e kemi pasur mbështetjen e Qeverisë së Kroacisë dhe popullit kroat në të gjithë rrugëtimin tonë që nga çlirimi e shtet-ndërtimi e do ta kemi edhe deri në integrimin në strukturat evropiane dhe NATO”, tha Maqedonci.
Në anën tjetër, ministri kroat, Anushiq, theksoi se Kosova do ta ketë gjithmonë mbështetjen e Kroacisë në luftën kundër terrorizmit, ruajtjes së sovranitetit të vendit dhe po ashtu në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në Këshillin Evropian.
Anushiq tha se kjo ishte hera e parë që ka ardhur për të vizituar Kosovën dhe trupat kroate në kuadër të KFOR-it.
“Ne do të punojmë për qëllime dhe plane të përbashkëta, që sigurisht është integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kosova duhet ta dijë se ka një aleat plotësisht të përkushtuar në Kroaci. Dua të them se ne e mbështesim plotësisht Kosovën dhe të drejtën e tyre për pavarësi, të drejtën e tyre për të luftuar terrorizmin, të drejtën e tyre për një jetë të sigurt në Kosovë, të të gjithë atyre që jetojnë brenda kufijve të Kosovës”, tha Anushiq.
Ai tha se Kroacia është e gatshme t'i bartë Kosovës njohuritë dhe përvojën e saj nga anëtarësimi në NATO dhe BE, në mënyrë që edhe Kosova të anëtarësohet në to.
Anushiq ka falënderuar Qeverinë e Kosovës, e cila, siç tha, bashkëpunon me industrinë kroate dhe aktualisht është një nga partnerët kryesorë tregtarë, jo vetëm në pajisjet ushtarake, por në bashkëpunimin e përgjithshëm.
Në këtë takim, po ashtu morën pjesë komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zv/ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, shefi i Mbrojtjes i Kroacisë Tihomir Kundid, drejtori i Drejtorisë për Inteligjencë dhe Siguri gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, shefi i Stafit të Shtabit të FSK-së gjeneral brigade Ilir Qeriqi, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Danijela Barisiq, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë të tjerë të lartë nga të dyja vendet.