Maqedonci: Ushtria gati ta mbrojë integritetin territorial të Kosovës.         Foto: Kosova Press

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci tha se Prishtina po "gjeneron" opsione për t'u pajisur me helikopterë, duke theksuar se fqinji verior Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për vendin e tij, transmeton Anadolu.

Duke folur në një intervistë për agjencinë lokale të lajmeve "Kosvapress", Maqedonci ka folur për situatën e sigurisë në vend. Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ka hyrë në vitin e shtatë, po zhvillohet sipas planfikimeve, ka thënë Maqedonci.

"Jemi duke gjeneruar opsione për furnizim me helikopterë dhe besoj që në ditët në vijim do të kemi një informacion më të qartë se ku është orientimi ynë për helikopterët dhe qytetarët normalisht do të jenë të informuar për orientimin tonë dhe për qasjen tonë në raport me helikopterët dhe gjithmonë synimi ynë është që para përmbylljes së fazës së tretë të tranzicionit, para vitit 2028, të paktën të kemi një pjesë të këtyre aseteve në FSK", ka thënë ai.

Në fund të vitit të kaluar, Kosova nënshkroi marrëveshje me prodhuesin turk të industrisë së mbrojtjes "Makine ve Kimya Endüstrisi" (MKE) për themelimin e fabrikës së municioneve në Kosovë. Maqedonci ka thënë se në këtë mënyrë Kosova do të pavarësohet në aspektin e municioneve.

Sipas tij, kjo fabrikë do t'i ketë makineritë sipas standardeve të NATO-s dhe do të menaxhohet nga një ndërmarrje publike ndërsa kontrata përfshin edhe trajnimin e stafit nga Republika e Türkiyes.

Ministri kosovar i Mbrojtjes ka thënë se Serbia po vazhdon të paraqesë kërcënim me vendosjen e 48 bazave të ushtrisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën. Sipas tij, në Rashkë, Nish dhe Vranjë janë vendosur baza të tjera të cilat nuk janë larg nga territori i Kosovës.

Ai konsideron se rreziku për sulme është i mundshëm, duke marrë parasysh se ende nuk janë ndëshkuar terroristët e sulmit në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit. Maqedonci ka deklaruar se institucionet e sigurisë janë të afta dhe të përgatitura për t'u përballur me çdo kërcënim që tenton të cenojë sovranitetin e vendit.

Ndryshe, një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023 dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku, në Banjskë të Zveçanit. Një vit më vonë, mbrëmjen e 29 nëntorit 2024, nga një shpërthim i madh u dëmtua kanali i ujit i Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se sulmi ishte terrorist dhe i kryer nga bandat kriminale të mbështetura nga Beogradi zyrtar.

TRT Balkan / agjencitë