Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, gjatë 25-vjetorit të fillimit të sulmeve të NATO-s ka njoftuar se Kosova nga vëzhgues parlamentarë do të pranohet si shtet anëtar i asociuar në NATO.
Sipas Maqedoncit, kjo paraqet një kapitull të ri për Kosovës ndërsa shtoi se me këtë vendim të NATO-s Kosova është një hap më afër drejt përmbushjes së qëllimit si shtet i pacenueshëm.
“24 marsi i vitit 1999 shënoi një momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri dhe shtet të pavarur, gjersa sot me këtë vendim të NATO-s jemi edhe një hap më afër drejt përmbushjes së qëllimit tonë si shtet i pacenueshëm e për Ballkan stabil”, ka shkruar Maqedonci në rrjetin social Facebook.
Më tutje, Maqedonci ka thënë se intervenimi i NATO-s në 24 mars të vitit 1999 ka qenë e vetmja formë që mund t’i jepte fund spastrimit etnik, derisa shprehu keqardhje që fqinji verior, Serbia, edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës nuk kërkon falje për gjenocidin e kryer në Kosovë.
“Është për keqardhje që fqinji ynë verior edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës nuk kërkon falje dhe as nuk ndien keqardhje për gjenocidin e kryer në Kosovë. Arkivat shtetërore nuk u hapën kurrë, ndërsa ekzekutorët e krimeve të shtetit serb vazhdojnë të enden të lirë. Gjersa sot ne kujtojmë bombardimet e NATO-s si veprimin më të drejtë të kësaj aleance të fuqishme ushtarake shteti serb vazhdon të fajësojë NATO-n dhe të arsyetojë veprimet gjenocidale të Milosheviqit. Kjo flet shumë për një mendësi të njëjtë që vazhdon të ekzistojë te pushtetarët e Serbisë”, ka theksuar Maqedonci.
Të dielën Kosova shënoi 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë.