Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës së Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, ambasadori Angılı ia uroi ministrit Maqedonci detyrën e re, para se të diskutonin rreth shumë çështjeve të cilat kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, e me theks të veçantë bashkëpunimin ndërmjet Ministrive të Mbrojtjes së dy shteteve në këtë drejtim.
Implementimi i planit dypalësh, thellimi i bashkëpunimit në zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta, shkollimi i kuadrove të reja të ushtarakëve, ishin disa nga pikat kyç të diskutimit.
“Zhvillimi i FSK-së dhe politikave të mbrojtjes për të garantuar siguri për qytetarët dhe mbrojtje territoriale, do të jetë angazhimi ynë i përditshëm si Ministri”, theksoi ministri Maqedonci gjatë këtij takimi.
Nga ana e tij ambasadori Angılı shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën që pjesëtarët e FSK-së kanë ofruar gjatë misionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Türkiye.
Gjithashtu, ambasadori theksoi se Türkiye mbetet e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për ngritjen e kapaciteteve luftarake të FSK-së në aspektin e kuadrove dhe armatimit.