Kuvendi i Kosovës sot pritet t'a ratifikoj marrëveshjen me MCC     Foto:Facebook/Albin Kurti 

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Programin Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarë, përveçse është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik mbi qëllime të përbashkëta në sektorin e energjisë, është kremtim i marrëdhënieve të thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në profilin e tij në Facebook.

“Ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë. Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik”, shkruan Kurti.

Njëherti ai shprehi mirënjohje për Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po qëndrojnë përkrah Kosovës në realizimin e investimeve të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Facebook u shpreh se këto projekte do të kontribuojnë në garantimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik të Kosovës gjersa përgatitemi për tranzicionin energjetik dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
“Ky investim do të garanatojë po ashtu një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë. Kjo marrëveshje konfirmoi edhe njëherë atë që dihet tashmë botërisht, partneritetin e jashtëzakonshëm e unik në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruan presidentja Osmani.

Ky program sipas ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli do të mundësojë stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, integrimin e burimeve te ripërtëritshme të energjisë dhe përgatitjen e fuqisë punëtore për punësim në sektor të energjisë, me fokus të veçantë tek gratë.
“Dua të falënderoj Drejtoreshën e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead dhe Udhëheqësin e ekipit vendor të zhvillimit të projektit, Lum Mita, si dhe të gjithë anëtarët e ekipit dhe të Kabinetit tim që kanë kontribuar në zhvillimin e programit”, shkruan Rizvanolli në Facebook.

Ndryshe, marrëveshja e Kosovës me MCC pritet që sot të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

TRT Balkan