Kryeministri i vendit Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Rogovës së Hasit, duke thënë se Kosova nuk i harron e as i fal krimet e kryera nga Serbia.
Në llogarinë e tij në Facebook, Kurti tha se përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës të cilat nuk vjetrohen dhe se Republika e Kosovës nuk i harron e as i fal krimet e kryera nga Serbia.
Ai ka përkujtuar 21 ushtarët e UÇK-së dhe 9 dhe civilët që ranë atje.
Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, forcat e armatosura serbe vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës.
“Në këtë 25-vjetor i përkujtojmë luftëtarët dhe civilët e rënë për liri, që me sakrificën e tyre e shtruan rrugën deri te ҫlirimi i Kosovës nga Serbia okupatore. Atëbotë ranë duke luftuar 21 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëntë civilë shqiptarë”, tha Kurti.
Të monumentalizuar në historinë e re të Kosovës, një çerekshekulli më pas Kurti i kujton emrat e të rënëve në ato ditë janari: “Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gëzim Ademaj, Gaspër Karaqi, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Prend Lleshi, Sahit Krasniqi, Sejdi Rama, Valon Gashi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Xhevdet Berisha, Ibrahim Kryeziu, Adem Shala, Zyber Shala dhe Rifat Shala. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, shkruan Kurti.