Manastiri i Banjskës do të mbyllet për vizitorë nga data 23 deri më 26 shtator, ka njoftuar Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit.
Mbyllja e Manastirit të Banjskës vjen në prag të njëvjetorit të sulmit terrorist në Banjska.
Në njoftim thuhet se arsyeja e mbylljes së manastirit në këtë periudhë është siguria dhe ruajtja e paqes.
“Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit njofton opinionin se manastiri i Banjkës do të jetë i mbyllur për vizitorë të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten (23-26 shtator) për arsye sigurie dhe për të ruajtur paqen, e cila aktualisht është e një rëndësie të madhe për manastirin”, thuhet në njoftim.
Më 24 shtator bëhet një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, ku grupi i udhëhequr nga krimineli Milan Radoiçiq vranë rreshterin Afrim Bunjaku.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjska, ku sipas aktakuzës thuhet se qëllimi i këtij grupi kriminal ishte aneksimi i veriut.