Mehaj e Jashari morën pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën.     /Foto: Ministria e Mbrojtjes

Në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Bruksel në mesin e ministrave dhe shefave të mbrojtjes të 54 shteteve, morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Takimi u kryesua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara Lloyd Austin dhe Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët Gjenerali Mark Milley, të cilët theksuan edhe një herë rëndësinë që secili prej shteteve të ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme për Ukrainën dhe popullin ukrainas të cilët po përballen me agresionin rus, një luftë të padrejtë që duhet dhënë fund.

Mes të tjerash, Sekretari Stoltenberg, gjatë fjalimit të tij tha se nuk kemi kohë për të humbur dhe se nëpërmjet shpejtësisë së veprimeve tona do të shpëtojmë jetë.

Në kuadër të takimit, ministri Mehaj theksoi pajtueshmërinë e plotë me këto qëndrime, dhe se gjatë takimeve që bashkë Gjenerallejtënant Jasharin kishte me Sekretarin Stolterberg dhe homologun kroat, letonez, ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO, Visho Ajazi Lika, edhe një herë shprehu gatishmërinë tonë si Qeveri e si Ministri e Mbrojtjes që në çdo kohë të strehojmë 5.000 refugjatë ukrainas, e po ashtu të ofrojmë mbështetjen nëpërmjet trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.

"Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë me mentalitet okupues e gjenocidal, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma që mund të shpëtojë jetë e t'i japë fund terrorit”, tha ndër të tjerash ministri Mehaj, duke përfunduar se "jemi me popullin ukrainas dhe do ofrojmë çdo ndihmë që është brenda kapaciteteve tona".

TRT Balkan