Mehaj në Türkiye diskutoi anëtarësimin e Kosovës në NATO.  / Foto: Armend Mehaj/Twitter

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Türkiye me homologun e tij të ri, Yaşar Güler.

Siç njoftohet, Mehaj fillimisht ka uruar Güler për detyrën e re si Ministër i Mbrojtjes, më pas ata kanë diskutuar rreth vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer të deritashëm me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Türkiyes si dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.

“Ky bashkëpunim do të vazhdohet në fushën e edukimit, trajnimeve dhe shkollimit të ushtrisë sonë. Partneriteti i ndërtuar me mirëbesim nga të dyja palët është i fuqishëm dhe i dobishëm për të dyja shtetet tona”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

Në vazhdim theksohet se është diskutuar edhe rreth mbështetjes së Republikës së Kosovës për anëtarësim në Programin për Paqe, për rëndësinë e anëtarësimit në NATO, për misione të përbashkëta dhe marrëveshje të tjera që do të hapin fusha të reja të bashkëpunimit.

“Marrëveshjet shtet me shtet që janë nënshkruar deri tani kanë rezultuar të jenë shumë të suksesshme”. Forcimi i ushtrisë sonë për të mbrojtur vendin dhe për t’i shërbyer paqes është synimi ynë kryesor”, thuhet në fund.

Kujtojmë se javë më parë Qeveria e Kosovës njoftoi për blerjen e dronëve Bayraktar nga Türkiye, por duke mos dhënë detaje për numrin dhe koston e tyre.

Mehaj në kuadër të vizitës së tij në Türkiye është takuar edhe me ministren e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska.

Mehaj nëpërmjet rrjeteve sociale tha se fqinjësia e mirë dhe partneriteti mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut "do të vazhdojnë të jenë në nivelet më të larta".

Mehaj në kuadër të vizitës së tij në Türkiye është takuar edhe me ministren e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska. AA

"Në kornizat e vizitës në Türkiye, kemi zhvilluar takimin me ministren e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska të cilën e falënderova për bashkëpunimin në fushën e sigurisë si dhe për mbështetjen në proceset e përmbushjes së obligimeve tona për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar", theksoi Mehaj.

TRT Balkan