Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut është takuar me homologun e tij Hristijan Mickoski.
Pas takimit kokë me kokë midis dy kryeministrave, është kaluar në takim midis delegacioneve, ku përveç kryeministrave morën pjesë edhe delegacionet qeveritare nga të dyja vendet.
Në një konferencë të përbashkët për media, Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të mira bilaterale të bazuara në vlera të përbashkëta dhe me synim të qartë për integrim evropian.
Ai duke kujtuar se Maqedonia e Veriut është vend anëtar i NATO-s, tha se "Ne jemi mirënjohës për kontributin e kontigjentit ushtarak paqeruajtës të trupave të Maqedonisë së Veriut në kuadër të KFOR-it duke përkrahur kësisoj përpjekjet për një medis të sigurtë, paqësor dhe stabil për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor".
Kurti tregoi se të dyja vendet kanë bashkëpunim bilateral në çdo fushë, ndërsa në aspektin diplomatik ai përshëndeti përkrahjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e Kosovës për integrim në organizata ndërkombëtare, sidomos në Këshillin e Evropës dhe NATO.
Në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, Kurti tha se vijojnë që të kenë një bashkëpunim të mirë, duke shtuar: "Mezi presim që të operacionalizohen pikat e përbashkëta kufitare, sidomos kjo në Hanën e Elezit e në Bllacë, të cilat do të lehtësojnë qarkullimin edhe ashtu në rritje të qytetarëve tonë".
Mickoski: "Këmbimi për vitin 2023 është në nivelin e gjysmë miliardë eurove"
Në konferencën e përbashkët për media, Mickoski tha se kanë pasur një takim konstruktiv me kreun e Qeverisë së Kosovës në një atmosferë miqësore.
Si qeveri e re, Mickoski tha se synimi i tyre është të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët në "parimin e rrugës dykahëshe".
Duke treguar se në takim kanë theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, Mickoski tha:
"Sipas të dhënave të fundit që kemi nga Enti Shtetëror i Statistikave, këmbimi për vitin 2023 është në nivelin e gjysmë miliardë eurove. Nuk shoh asnjë arsye që me përpjekjet e të dyja qeverive ai shkëmbim të mos jetë edhe më i madh me ndërtimin e projekteve të infrastrukturës, autostradës që do të lidhë pikën kufitare me kryeqytetin tone, drejtimi potencial rrugor që do të lidhë Tetovën me Prizrenin".
Duke komentuar rastin e 1 gushtit që ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Mickoski tha se kjo për ta ka shkaktuar një ndjenjë për të cilën "me të vërtetë ndjejnë keqardhje dhe nuk duan të përsëritet".
Kryeministri Kurti nga ana e tij lidhur me rastin tha se ishte "padyshim përjetim dhe përvojë e rëndë", duke shtuar se do të ketë një raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe hollësi, edhe që të kuptojnë çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos përsëriten kurrë më situata të tilla.
Më 1 gusht, Presidenca kosovare kishte njoftuar se Osmanit ishte tentuar t’i merrej telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit, në "kundërshtim të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike".
Lidhur me rastin pati reagime nga të dyja vendet, ndërsa Kosova i kishte dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për shkak të "trajtimit jo të drejtë" të presidentes Vjosa Osmani.