Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një konferencë për media është prononcuar lidhur me 100-ditëshin e parë të qeverisë së re.
Sipas tij 100 ditët e para pas zgjedhjes së Qeverisë së re nuk ishin të lehta, por ishin një periudhë vendimtare në të cilën u bënë të qarta shumë gjëra, apo siç tha ai “ku jemi dhe ku duhet të shkojmë dhe çfarë duhet për të arritur atje”.
“Por, më e rëndësishmja, ne treguam se jemi të vendosur dhe të përkushtuar për t'u përballur me sfidat pa marrë parasysh pengesat që i hasim dhe problemet dhe kurthet që na vendosen”, tha Mickoski.
Në vazhdim, ai përsëriti se gjendja e trashëguar ishte shumë më e keqe se sa e prisnin dhe kushtet janë larg idealit.
“Në 100 ditë, theksuam, realizuam, miratuam apo nisëm më shumë se 100 projekte, masa dhe vendime të rëndësishme për qytetarët. Sa më shumë e dimë se situata është më e rëndë sesa presim, aq më e fortë bëhet vendosmëria jonë”, ka shtuar Mickoski.
Kryeministri më tutje potencoi se qeveria e re ka trashëguar një buxhet vjetor të tretur në vetëm gjashtë muaj.
“Ky është shndërruar në një vend nga i cili po largohen të rinjtë, 600 mijë të cilët jetojnë me vetëm 150 denarë në ditë dhe shumë probleme të tjera urgjente. Por kjo vetëm sa forcoi angazhimet dhe motivimin tonë për t'i korrigjuar ato dhe për të ecur në rrugën e duhur. Qëllimi i sotëm është i qartë, përkushtimi 100 për qind për realizimin e projekteve dhe realizimin e premtimeve”, tha Mickoski.
Këto 100 ditë, siç tha ai nuk ishin të lehta, por ishin vetëm fillimi.
“Detyra dhe fokusi ynë parësor ishte stabilizimi i flukseve financiare, mbyllja e vrimave buxhetore dhe përballja me deficitet dhe kaosin e lënë nga qeveria e mëparshme. Po punohet për kthimin e borxheve, mbylljen e borxheve të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike dhe zbatimin e masave specifike në politikën tatimore dhe sociale. Jemi duke përgatitur dhe plotësuar institucionet, jemi duke negociuar investime të rëndësishme për ekonominë tonë dhe që do të krijojnë shumë vende të reja pune, kemi punuar dhe po përgatisim qindra projekte të reja”, theksoi Mickoski.
Ne kujdesemi, shtoi ai, për të gjithë, për më të rinjtë, për arsimimin e tyre dhe për të moshuarit me gjysmën e parë të rritjes së pensionit dhe projekte të tjera të reja që po planifikojmë.
Ai kujtoi se vetëm në 100 ditë qeveria e re përmes rritjes lineare të pensioneve mundësoi pensione më të larta për mbi 330 mijë pensionistë, investime të reja të huaja, shërbime kadastrale më të lira, barna më të lira përmes zgjerimit të listës pozitive etj.
“Po vijnë shumë projekte, masa dhe reforma të tjera, për të cilat do të punojmë me gjithë energjinë tonë, me gjithë zemër. Po vijnë investime të reja, ulje çmimesh, vendime investimi, por edhe masa për të rinjtë dhe mund të them që taksat do të ulen. Në katër javët e ardhshme presim vendim për uljen e mëtutjeshme të taksave, që do të na bëjë vendin me taksat më të ulëta në Evropë”, premtoi Mickoski.