Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në një intervistë për Nova TV ka deklaruar se nuk është reale të pritet çnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi.
“Nuk është realiste të tërhiqet ‘njohja’ (pavarësia) e Kosovës dhe kjo është një çështje që është shumë e qartë”, tha Millatoviq.
Ai u zotua se do të mbështesin gjithçka për të cilën bien dakord Beogradi dhe Prishtina duke besuar se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon.
“Në këtë kuptim, Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore”, shtoi Millatoviq.
Duke folur për marrëdhënie e tij me shtetin serb, Millatoviq tha se Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht që do ta vizitojë atë me ftesë të presidentit Aleksandar Vuçiq.
“Dëshiroj marrëdhëniet më të mira të mundshme me Serbinë dhe kur kam qenë ministër i zhvillimit ekonomik e kam vënë gjithmonë në fokus. Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe është krejtësisht e natyrshme që vizita ime në Serbi do të vijë pas ftesës së (presidentit serb Aleksandar) Vuçiq”, tha Millatoviq.
Megjithatë, ai tha se vizita e tij e parë do të jetë në Bruksel, sepse, siç ka përsëritur ai, Mali i Zi "me të vërtetë po lëviz" drejt BE-së.
Millatoviq ka theksuar se për të është e rëndësishme që të gjitha këto vizita të rezultojnë me rezultate të prekshme për qytetarët dhe ekonominë.