Qytetarë serbë të Kosovës kanë protestuar në Mitrovicë veriore duke bërë thirrje që ura kryesore mbi Lumin Ibër të mos hapet për qarkullimin e automjeteve. Rreth 600 qytetarë, sipas Policisë së Kosovës, dolën në sheshin pranë Urës së Ibrit me pankarta dhe mesazhe që kundërshtojnë hapjen e urës për automjete.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe të ndryshme, disa prej të cilave shkruanin “Në urë mbrojtëm mbijetesën, tani e mbrojmë zhdukjen”, “Në rast se Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës për gjithçka”, “Kërkojmë nga KFOR-i të na mbrojë”, “Derisa BE-ja dhe ShBA-ja shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë”. Ish-kryetari i Gjykatës së Mitrovicës, Nikolla Kabashiq, në emër të bashkëqytetarëve të tij tha se janë kundër hapjes së paralajmëruar të urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve, sepse nuk ndihen të sigurt.
“Nuk pajtohemi me atë që pretendojnë politikanët nga Prishtina, ekskluzivisht nga një parti dhe çfarë pretendojnë politikanët dhe kryetarët e komunave nga jugu. Nuk është në interesin tonë, nuk ndihemi të sigurt. Si është e mundur të hapet një urë dhe të flitet për ndërveprim dhe pajtim të ndërsjellë të qytetarëve, e askush nuk na pajton. Ne jetojmë këtu së bashku, ata vijnë në veri, kalojnë çiklistët, kalojnë qytetarët, policia, ata vijnë në farmacitë dhe dyqanet tona dhe njerëzit tanë shkojnë në jug. Liria e lëvizjes ekziston”, tha Kabashiq.
Pjesëmarrës në këtë protestë ishin edhe përfaqësuesit e partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, si kryetari Zllatan Elek, zëvendësi i tij Dragisha Milloviq dhe po ashtu Sllavko Simiq, Igor Simiq, Ivan Todosijeviq dhe Aleksandar Jabllanoviq.
Qeveria e Kosovës po kërkon ta hapë urën kryesorë mbi lumin Ibër, megjithëse vendet e QUINT-it më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafikun në këtë moment.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 18 korrik deklaroi se hapja për qarkullimin edhe për veturave në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është kundër askujt dhe një gjë e tillë do t’u ndihmonte qytetarëve pa dallim etnie, por edhe ekonomisë dhe tregtisë.
Kurti tha se hapja e urës në mënyrë të plotë është quajtur simbol i normalizimit në të kaluarën nga Brukseli.
Dy ministrat e Qeverisë së Kosovës, ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe zëvendësministri i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kanë inspektuar më 6 gusht Urën e Ibrit.
Ministri Sveçla gjatë një deklaratë për media ka thënë se hapja e urës është çështje e vlerësimit të ekspertëve, por “ura do të hapet, nuk ka asnjë arsye të mos hapet, se kur do të hapet kjo është çështje që vlerësohet nga ekspertët”.
Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndanë qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.
Aktualisht aty mund të kalojnë vetëm këmbësorët, ndërsa ura ruhet nga KFOR-i Italian.
Çështja e urës mbi lumin e Ibrit u riaktualizua për shkak se në maj të vitit 2024 asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.