Qytetarët e Kosovës janë duke përjetuar probleme serioze me rritjen e monedhave të falsifikuara euro kohëve të fundit në vend.
Shumica e bizneseve në vend nuk pranojnë monedha, veçanërisht ato të metalit, 2 euro. Disa biznese përdorin gjithashtu metoda interesante për të dalluar paratë e rreme nga ato reale, sikurse testimi se a ka veti magnetike apo varësisht se sa të theksuara janë ravijëzimet brenda kësaj monedhe.
Paratë e falsifikuara shpërndahen kryesisht përmes llogarive të hapura në platformat e rrjeteve sociale. Monedhat në fjalë gjejnë blerës për afërsisht me gjysmën e vlerës së tyre reale.
Nadire Ibrahimi, e cila punon si eksperte në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, e cila është përgjegjëse për kontrollimin e autenticitetit të monedhave, për Anadolu tha se këtë vit po përjetohet rritja më e madhe e monedhave të falsifikuara, të cilat kanë filluar të vërehen vitet e fundit.
Ajo theksoi se më shumë se 90 për qind e monedhave euro që ata ekzaminuan si institucion këtë vit ishin false.
"Nga 38.137 monedha (false) që dolën të ekzaminoheshin gjithsej 36.269 ishin 2 euro, nga 1 euro janë 1.832, ndërsa 50 centë janë vetëm 36 dëshmi", tha Ibrahimi.
Policia e Kosovës ka kryer deri më tani disa operacione për të parandaluar hyrjen e parave të falsifikuara në vend. Në kuadër të tyre, ajo zhvilloi operacion më 29 nëntor, ku arriti të kapë 6 persona të cilët sollën me thasë monedha nga 2 euro të falsifikuara nga Maqedonia e Veriut në Kosovë, në vlerë prej gjithsej 85 mijë eurove.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka reaguar duke lëshuar një deklaratë pasi monedhat 2-euroshe filluan të mos pranoheshin nga disa biznese në vend.