Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve në Republikën e Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se pala ndërkombëtare e mbështet qëllimin e synuar të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila e pranon euron si valutë të vetme për operim.
Murati në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se dallimi midis ekzekutivit kosovar dhe ndërkombëtarëve në ekzekutimin e rregullores së BQK-së, është në atë se si të dizajnohet periudha tranzitore për implementimin e këtij vendimi.
“Është një vendim i cili është marrë nga Banka Qendrore e Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar, nuk është vendim që është marrë rishtazi. Vendimi ka hyrë në 1 shkurt të këtij viti, por është marrë më herët. Patjetër që konsultohemi, patjetër që koordinohemi dhe patjetër që kemi parasysh të gjitha aspektet. Sa i përket qëllimit që synon të arrijë rregullorja e miratuar e BQK-së, por edhe shumë ligje të tjera që kemi miratuar, të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund”, theksoi Murati.
Ai tha se nuk ka prishje të raporteve me palën ndërkombëtare për shkak të Rregullores së re të BQK-së, të cilën e mbështet Qeveria e Kosovës.
Sipas Muratit, Beogradi zyrtar, i cili ka deklaruar se çdo vit i sjell 200 milionë euro në Kosovë si ndihma sociale dhe pensione për disa kategori, ka bërë keqpërdorime me këtë fond.
“Arsyeja kryesore që Beogradi heziton këtu ka të bëjë me mënyrën dhe natyrën se si janë menaxhuar ato fonde deri më tani. Unë isha para dy ditësh në Leposaviq për vizitë dhe, më besoni që, gjatë rrugës shtëpitë që shihni dhe ambienti që shihni nuk të lënë përshtypjen se aty kanë hyrë 200 milionë euro në vit”, thekson Murati.
Ai tha se ato para janë dedikuar për qytetarët serbë të Kosovës, por një pjesë e madhe e tyre kanë përfunduar në financimin e aktiviteteve ilegale te grupet e interesit “me të cilat tanimë është dëshmuar se Beogradi ka pasur lidhje direkte”.
Nga 1 shkurti 2024 ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton që valuta e vetme e pranuar për operim në Republikën e Kosovës është euroja.
Kjo rregullore, për zbatimin e së cilës Qeveria e Kosovës ka thënë se do të ketë një fazë tranzicioni e cila përfshin informim dhe edukim për qytetarët dhe bizneset, dhe jo menjëherë ndëshkime, ka prekur më shumë serbët e Kosovës të cilët ende e përdorin dinarin serb, të cilët po ashtu marrin pensione dhe ndihma sociale nga Serbia.