Në komunat veriore të Kosovës, ku serbët po protestojnë për disa ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, të zgjedhur më 23 prill, nata ka kaluar e qetë. Në Zveçan, njësitë e KFOR-it kanë vendosur rrethojën me gjemba.
Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.
Për dallim nga ditët e kaluara, gjatë natës së mbrëmshme në komunën e Zubin Potokut, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që qëndruan për tri ditë me radhë në vijën e parë përballë protestuesve, janë zëvendësuar me ushtarë të KFOR-it, ndërsa policët ndodhen brenda objektit komunal.
Serbët kanë paralajmëruar për sot protesta më masovike në këto komuna.
Ndërkaq, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal.
Që nga e premtjanserbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Të hënën (29 maj) protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.