Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova e ka shkelur Marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat zyrtare me Serbinë, kjo pas ndalimit të vizitës së patriarkut serb Porfirije.
Në një konferencë për media gjatë ditës së sotme, zëdhënësi i BE-së tha se “Kosova ka injoruar në mënyrë flagrante rëndësinë që Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të ketë për një pjesë të qytetarëve të Kosovës”.
Ai shtoi se kjo është në kundërshtim me parimet themelore të çdo shoqërie demokratike e multietnike.
“Vizita e Patriarkut Porfirije në Kosovë është njoftuar, pra është njoftuar në përputhje me marrëveshjet përkatëse të dialogut dhe është dashur të lejohet, është dashur të lejohet të ndodhë. Me refuzimin e hyrjes së tij, Qeveria e Kosovës jo vetëm që ka shkelur marrëveshjet e vitit 2014 për vizita zyrtare, por ka injoruar në mënyrë flagrante rëndësinë që Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të ketë për një pjesë të qytetarëve të Kosovës. Kjo është në kundërshtim me parimet themelore të çdo shoqërie demokratike multietnike dhe tolerante. Pra, përsëri Bashkimi Evropian vazhdon dhe përsërit thirrjen e tij për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të të gjitha marrëveshjeve të dialogut, përfshirë atë për vizitat zyrtare”, tha Stano.
Ndërkaq, duke folur për takimin e sotëm në Bruksel ku do të takohen kyenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me Rregulloren e BQK-së ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë, Stano tha se do të tentohet të gjendet një zgjidhje për këtë temë.