Nga 1 janari Serbia lejon qarkullimin e veturave me targa të Kosovës.     /Foto: TRT Balkan

Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për të mundësuar lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet nga Kosova, tha drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq.

Petkoviq theksoi se një njoftim do të shfaqet në të gjitha vendkalimet kufitare dhe administrative.

Siç thuhet në tekstin e deklaratës së publikuar në faqen e internetit të Qeverisë së Serbisë, lejimi i pjesëmarrjes së të gjitha automjeteve në trafikun rrugor bëhet vetëm për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e lëvizjes së tyre dhe nuk mund të interpretuar si njohje e një pavarësie të shpallur në mënyrë të njëanshme, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vendimi do të zbatohet nga 1 janari, thonë autoritetet serbe.

Petkoviq shtoi se në këtë mënyrë ata mbronin të drejtat e “popullit tonë në Kosovë dhe mundësuan lirinë e lëvizjes”.

“Ne nuk i kemi kaluar vijat e kuqe në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit kombëtar”, tha ai, njoftoi Qeveria e Serbisë.

Në të njëjtën seancë të Qeverisë është marrë vendim detyrues për të gjithë – të mos kalohen vijat e kuqe.

“Sot në seancën e Qeverisë morëm një vendim të veçantë për parimin, qasjen dhe qëndrimin që Presidenti i Serbisë, por edhe e gjithë Qeveria, është i obliguar që qartë dhe pa mëdyshje t'u përmbahet vijave tona të kuqe në negociata dhe dialog, absolutisht e respektojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, siç është dhe çfarë është bërë deri më tani”, tha Petkoviq. Ai shtoi se është një vendim i rëndësishëm dhe domethënës që në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje thekson se nuk ka njohje të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në OKB, si dhe të organizatave dhe agjencive të sistemit të Kombeve të Bashkuara.

“Targat e regjistrimit që kemi vënë në dispozicion, si një vit më parë, kartat e identitetit, nuk janë simbol i shtetësisë”, tha Petkoviq dhe kujtoi se në botë ka shembuj të shumtë të targave të ndryshme që përdoren në një vend, si p.sh. Kina dhe Hong Kongu, bëhet fjalë për shtetin kinez.

Ai shtoi se një shembull i tillë ekziston në Itali, ku rajone të ndryshme përdorin targa të ndryshme.

Petkoviq tha se nuk është sekret që 99 për qind e serbëve përdorin targa RKS, sepse kjo është mënyra e vetme për të jetuar, mbijetuar dhe lëvizur.

TRT Balkan / agjencitë