Ka filluar në Kosovë procesi i rishikimit të teksteve shkollore me qëllim të përmirësimit të cilësisë së tyre.
Procesi i rishikimit të teksteve shkollore do të ndahet në disa faza, ndërsa do të udhëhiqet nga Këshilli i Ekspertëve për Tekste Shkollore dhe Planprograme Mësimore i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), mirëpo do të ndihmohen edhe nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë.
Ministrja e MASHTI-t Arbërie Nagavci e cila mori pjesë në një konferencë bashkë me Institutin EdGuard për të njoftuar fillimin e këtij procesi, tha se përmirësimi i teksteve mësimore luan një rol shumë të rëndësishëm për sistemin e arsimit.
Ajo tha se rezultatet e fundit të testeve ndërkombëtare të nxënësve në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) dhe të tjera, "kanë qenë kambana e fundit e alarmit", e cila ka shërbyer si ndërgjegjësim për opinionin në Kosovë.
"Besojmë që nëpërmjet këtij procesi që po e fillojmë do të arrijmë që të ndikojmë në përgjithësi jo vetëm te përmirësimi i cilësisë së teksteve, por tek përmirësimi cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies, rezultateve të nxënësve, por edhe zhvillimit tonë të përgjithshëm", theksoi Nagavci.
Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, tha se për herë të parë po ofrohet një evidencë empirike e mjaftueshme për domosdoshmërinë e përmirësimit të teksteve shkollore. Ai tha se nëpërmjet këtij përmirësimi synohet një qasje pozitive dhe proaktive e hisedarëve të përfshirë në këtë proces, përfshirë autorët, recensentët dhe shtëpitë botuese.
"Objektivat afatshkurtra janë mbledhja e të dhënave specifike për cilësinë e teksteve shkollore aktuale, identifikimi fushave që kërkojnë përmirësim dhe ofrimi i rekomandimeve për ndërhyrje të bazuar në tekstet shkollore ekzistuese", theksoi Qehaja.
Disa prej kritereve për vlerësimin e teksteve do të jenë: nëse struktura e tekstit shkollor është në përputhje me kurrikulën; nëse përmbajtja e tekstit është e qartë, precize dhe objektive; strategjitë e të nxënit të propozuara në tekst shkollor a janë efektive; gjuha e përdorur a është e saktë dhe e qasshme.
Për procesin e rishikimit të teksteve shkollore në Kosovë do të angazhohen tetë ekipe të ekspertëve për të cilët rekrutimi filloi nga sot. Secili ekip do të përbëhet nga një profesor universitar, një mësimdhënës, një pedagog dhe psikolog, dy specialistë të barazisë gjinore dhe një nga anëtarët do të shërbejë si sekretar shkencor që do të bëjë gjenerimin dhe zhvillimin e raporteve vlerësuese.