Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, pas mbi nëntë muaj hetime "shkatërruan një grup kriminal të trafikut të armëve, aktiv në Kosovë dhe Shqipëri".
Gjatë operacionit të përbashkët policor të koduar “Çmontimi”, sipas informacioneve paraprake janë arrestuar disa persona në të dy shtetet, ndërsa sipas autoriteteve shqiptare operacioni është mbështetur nga agjencitë ndërkombëtare si EUROPOL dhe EUROJUST.
Siç njofton Prokuroria Speciale e Kosovës, më 10 dhjetor me urdhër të saj Policia e Kosovës zhvilloi një plan operativ në terren, me ç’rast u kryen urdhër-kontrolle në nëntë lokacione, pronë e të dyshuarve.
Gjatë urdhër-kontrollit në këto lokacione bëhet e ditur se janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe municion të modeleve të ndryshme.
Sipas prokurorisë, lidhur me këtë rast janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje tetë persona, gjashtë prej tyre shtetas të Kosovës, ndërsa dy prej tyre shtetas të Shqipërisë.
Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se në kuadër të këtij operacioni nga autoritete shqiptare janë ndaluar gjithsej dhjetë shtetas të Shqipërisë, gjashtë prej tyre në orët e fundit
.
Sipas policisë, janë sekuestruar 64 armë zjarri, si dhe municione luftarake, ku 23 armë janë sekuestruar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe 41 armë janë sekuestruar në Kosovë.
"Gjatë hetimeve është provuar se grupi kriminal vepronte në mënyrë të organizuar për trafikimin e armëve dhe lëndëve narkotike, mes dy vendeve", thuhet në njoftim.
Sipas autoriteteve të të dy vendeve, nga hetimet e zhvilluara përmes masave të veçanta të hetimit janë dokumentuar raste të shitjes së armëve të zjarrit, kryesisht pistoleta “Zoraki” të trafikuara nga Kosova drejt Shqipërisë.