Osmani: Masat ndaj Kosovës nuk kontribuojnë në avancimin e dialogut. / Foto: Vjosa Osmani (Facebook)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në drekën tradicionale të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor. Aty Osmani ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, por “prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Osmani gjithashtu ka deklaruar se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet.

“Presidentja Osmani po ashtu ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës, përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së edhe sa u përket sanksioneve dhe me procese reformuese të rëndësishme”, ka njoftuar Presidenca.

Osmani ka thënë se BE-ja duhet t’i shpërblejë shtetet e bashkërenduara.

Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Osmani ka theksuar nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat, si dhe anëtarësimin e shteteve të rajonit bazuar në përmbushjen e kritereve.

Osmani po qëndron në Nju Jork, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

TRT Balkan / agjencitë