Panel për kontributin e organizatave të punëmarrësve Türkiye-Shqipëri. / Foto: AA

Konfederata HAK-İŞ dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSh) kanë organizuar panelin me temë “101-vjetori i marrëdhënieve Türkiye-Shqipëri: Kontributi i organizatave të punëmarrësve në marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Në aktivitetin e organizuar me mbështetjen e Ministrisë turke të Kulturës e të Turizmit dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në ambientet e një hoteli në Tiranë, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të organizatave të ndryshme nga të dyja vendet dhe të ftuar të tjerë.

Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, në fjalën e tij u shpreh se TIKA është përpjekur të forcojë marrëdhëniet midis dy kombeve përmes afro 600 projekteve që përfshijnë fusha si përmirësimi i infrastrukturës administrative dhe civile, arsimi, kujdesi shëndetësor, shkëmbimi kulturor, bujqësia, blegtoria dhe turizmi që nga viti 1996.

"Ne besojmë se organizimi i këtij paneli dhe kontributi që kanë dhënë këto dy organizata në marrëdhëniet Türkiye-Shqipëri të cilat në vitin 2024 kanë hyrë në shekullin e tyre të dytë, do të na ndihmojë të vlerësojmë të tashmen, të përcaktojmë hapat që duhen ndërmarrë në të ardhmen, si dhe të forcojmë frymën e vëllazërisë dhe zhvillimin e fushave të bashkëpunimit mes dy vendeve", tha Atay.

Presidenti i Konfederatës HAK-İŞ , Mahmut Arslan, në fjalën e tij tha se paneli është i rëndësishëm, pasi sipas tij organizohet në kuadër të 101-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri.

Ai shtoi se sindikatat janë tepër të rëndësishme “pasi ndikojnë edhe për demokracinë dhe fuqinë e vendit”.

"Marrëdhëniet tona janë qindravjeçare dhe kemi qenë gjithmonë së bashku. Kemi qenë në të njëjtin shtet dhe iu kemi mbijetuar shumë ngjarjeve historike të përbashkëta. Shqiptarët kanë kontribuar për zhvillimin e kulturës dhe historisë së Türkiyes", tha Arslan.

Arslan shtoi se Republika e Türkiyes nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan vazhdon të ndihmojë dhe mbështesë Shqipërinë, dhe shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur në nivelet më të larta.

Këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut, u shpreh se mbështesin të gjitha përpjekjet paqësore të shoqërisë civile për zhvillimin e marrëdhënieve.

TRT Balkan / agjencitë