Parlamentarët nga Çekia u pritën në takime në Kuvendin e Kosovës / Foto: AA

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, kanë pritur në një takim anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje nga Republika e Çekisë.

Anëtarët e komisionit kosovarë falënderuan delegacionin çek duke u shprehur të bindur se Çekia do të vijojë të mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen.

Në takim u diskutua për një gamë të gjerë çështjesh, me qëllim të një koordinimi më të mirë ndërmjet të dyja vendeve, me theks të veçantë bashkëpunimi ndërparlamentar, si dhe përkrahja e Kosovës në forumet ndërkombëtare.

U bisedua edhe për rrezikun që paraqet për Evropën dhe më gjerë agresioni rus ndaj Ukrainës, andaj, lidhur me këtë u vu në pah nevoja e një politike unike në mbrojtje të demokracisë.

Në emër të delegacionit çek, foli Pavel Fischer, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje të Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori i Çekisë në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, ai theksoi miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve.

Fischer, gjatë fjalës të tij me këtë rast, e falënderoi Kosovën, e cila, nënvizoi ai, ndër të parat është rreshtuar përkrah shteteve të Evropës dhe të NATO-s, në mbrojtje të lirisë dhe vlerave perëndimore.

Ai bëri thirrje që kjo politikë dhe bashkërendim të vijojë edhe në të ardhmen, ndërsa u shpreh i bindur se Çekia do të jetë mbështetëse e Kosovës në të gjitha rastet ku ajo është pjesëmarrëse.

Gjatë ditës anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje nga Republika e Çekisë, u pritën në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me të cilin diskutuan për situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit të dyanshëm.

Po ashtu, ata u pritën edhe nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, duke folur për sigurinë, vlerësoi se situata vazhdon të jetë e sfiduar dhe e paqëndrueshme, gjë që, sipas tij, ngjarjet gjeopolitike globale po kanë ndikim jashtëzakonisht të madh edhe në rajon.

TRT Balkan / agjencitë