Parlamenti Evropian kërkon hetime: A e favorizon Varhelyi Serbinë? / Foto: AP

Rezoluta e Parlamentit Evropian për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së përmban një paragraf me të cilin kërkohet nga Komisioni Evropian të fillojë “hetim të pavarur dhe të paanshëm” për Oliver Varhelyi, që të vërtetohet nëse komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë “e shkel kodin e sjelljen të anëtarëve të komisionit”.

Ky nen, i miratuar me 357 vota “për” nga 632 eurodeputetë, thotë se “komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë po përpiqet qëllimisht të anashkalojë dhe minojë rëndësinë qendrore të reformave demokratike dhe të shtetit të së drejtës të vendeve që hyjnë në BE".

Eurodeputeti holandez nga radhët e socialdemokratëve, Thijs Reuten, i cili kërkoi përfshirjen e këtij neni në rezolutë, deklaroi sot se Varhelyi ka favorizuar Vuçiqin duke mos iu përgjigjur në mënyrë adekuate politikave të tij përshkallëzuese.

“Sot Parlamenti Evropian miratoi një qëndrim të qartë në raportin e tij vjetor të politikës së jashtme mbi modelin e vazhdueshëm të veprimeve përshkallëzuese nga Serbia, duke rezultuar gjithashtu muajin e kaluar në tensione krejtësisht të panevojshme midis Serbisë dhe Kosovës”, shkruan Reuten në Twitter.

Ai tha gjithashtu se duhet veprim vendimtar kundër retorikës dhe aktiviteteve të vazhdueshme secesioniste të Republika Sërpskës në Bosnjë e Hercegovinë.

Rezoluta kërkon gjithashtu nga Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, të harmonizojë politikën e jashtme me Brukselin, kryesisht lidhur me Rusinë.

TRT Balkan / agjencitë