Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se të gjitha bankat komerciale në Kosovë kanë vazhduar të regjistrojnë fitime të larta, derisa në tremujorin e tretë të vitit 2023, ata kanë pasur një profit neto prej 123,7 milionë eurosh.
Një rezultat i tillë sipas Bankës Qendrore të Kosovës ka ardhur për shkak të rritjes të të hyrave, që kanë qenë më të larta në krahasim me vitin e kaluar.
“Sektori bankar në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023 realizoi profit neto prej 123,7 milionë eurosh, niveli më i lartë në raport me periudhat e njëjta të viteve paraprake. Rezultati i tillë financiar u arrit kryesisht nga rritja e të hyrave, e cila ishte më e lartë se një vit më parë, përderisa edhe shpenzimet vazhduan trendin rritës për të dytin vit me radhë”, thuhet në raportin e Bankës Qëndrore.
Më tej, theksohet se kjo rritje bazohet në interesin, që përfaqëson 74,0 për qind të të hyrave.
“Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 317,1 milionë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 17,2 për qind (13,6 për qind deri në shtator 2022). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor e kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74,0 për qind të gjithsej të hyrave. Në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit, posaçërisht në tri vitet e fundit, si dhe rritjes së normave të interesit në kredi. Për më tepër, të hyrat nga plasmanet me bankat janë rritur theksueshëm, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet tutje.
Ndërsa, kategoria e të hyrave nga jointeresi, kryesisht nga tarifat dhe komisionet, shënoi rritje më të ngadalësuar vjetore prej 4,1 për qind nga rritja prej 14,1 për qind një vit më parë, duke arritur vlerën prej 72,0 milionë eurosh në fund të shtatorit 2023.