Përfaqësues të Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë. Drejtuesi i Zyrës Evropiane të Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut (WADA), Sebastien Gillot, dhe kryeshefi i organizatës për Anti-Doping të Sllovenisë (SLOADO), u pritën në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) nga presidenti Ismet Krasniqi, ndërsa gjatë ditës do të takohen edhe me krerë të institucioneve të tjera sportive në vend dhe do të marrin pjesë në tryeza diskutimi.
Pas takimit në KOK, Gillot tha se tre vjet pas vizitës së fundit në Kosovë është bërë mjaft progres në anti-doping në Kosovë, megjithëse ende është faza përfundimtare e themelimit të Agjencisë për Anti-Doping në Kosovë (KosADA).
"Është shumë e rëndësishme të shohim mbështetjen e gjithë autoriteteve në Kosovë që po i japin KosADA-s dhe kësaj organizate nacionale të anti-dopingut. Të dyja, parlamenti dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, janë në mbështetje të plotë të KosADA-s dhe themelimit të kësaj agjencie. Pra, kjo na jep siguri ne kur shohim këtë mbështetje në vend", theksoi Gillot.
Koordinatori i KosADA-s, Bernard Tahirbegolli, tha se gjatë tre viteve është bërë progres i madh në përfundimin e themelimit të KosADA-s.
"Më vjen mirë që edhe WADA e ka parë një progres të tillë, që jemi në rrugën e duhur dhe po përparojmë me hapat e duhur. Jemi para Lojërave Olimpike 'Paris 2024' dhe është e rëndësishme që plani ynë për anti-dopingun të realizohet në tërësi që sportistët tanë të garojnë pastër, pa doping dhe të jenë të barabartë me gjithë sportistët në botë", theksoi Tahirbegolli.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e themeloi Agjencinë për Anti-Doping në Kosovë (KosADA) pas insistimit të vazhdueshëm nga Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA) dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Programet anti-doping synojnë të mbrojnë shëndetin e sportistëve dhe të ofrojnë mundësinë për sportistët që të ndjekin përsosmërinë njerëzore pa përdorimin e substancave të ndaluara dhe metodave të ndaluara.