Dy orë ka zgjatur takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurit, dhe diplomatëve të ri nga Franca dhe Gjermani, përfshi edhe përfaqësuesin e BE-së.     Foto: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në takim është theksuar se Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Kurti, siç thuhet në njoftimin e kryeministrise ka ritheksuar se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Ai falënderoi emisarin Lajçak si dhe këshilltarët Plötner dhe Bonne për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se diskutimi me të ishte i thellë dhe rëndësishëm për rritjen e dinamikës në dialog dhe për ta çuar përpara procesin.

“Siç e patë ne sapo kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin Albin Kurti, duke diskutuar për dialogun dhe se si të rritet dinamika në proces dhe të çohet procesi përpara. Ishte një diskutim shumë i thellë dhe i rëndësishëm dhe mendoj se do ta kuptoni që nuk mund të hyjmë në detaje sepse, natyrisht, të njëjtin diskutim do ta kemi më vonë sot me presidentin Vuçiq, prandaj them se kemi përfunduar pjesën e parë të misionit në Prishtinë”, tha ai.

Ndërsa, Jens Plotner, këshilltari i kancelarit gjerman dhe Emmanuel Bonne, këshilltar i presidentit francez, nuk pranuan të flasin para mediave.

Pas qëndrimit në Kosovë, Lajcak së bashku me dy këshilltarët do të udhëtojnë për në Beograd, ku do të takojnë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Takimi vjen pas propozimit në letrën e përbashkët të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, drejtuar kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Lajçakun në Kosovë dhe Serbi në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi i dialogut të lëvizë përpara shpejt.

Nëpërmjet një letre dërguar kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, kancelari Scholz dhe presidenti Macron gjithashtu u kanë bënë thirrje palëve që të “tregojnë gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira”.

TRT Balkan / agjencitë