Përtej muajit Rozë, realiteti i kancerit të gjirit në Ballkan / Photo: TRT BALKAN

744 raste në Shqipëri, mbi 1.200 raste në RMV, mbi 400 raste në Kosovë, dhe sërish, ndodh që ti anashkalojmë "simptomat e zakonshme", si të mos ishin mjaftueshëm të zakonshme për t’i marrë seriozisht. Ndërsa kontrollet? Ato gjithmonë ngelen për “javën tjetër.”

Dhe, mbase, mos ndodh kjo nga stigmat kulturore, aksesi i kufizuar në kujdesin shëndetsor, apo vështirësitë e tjera me të cilat gratë mund të hasin në rrugëtimin e diagnostikimit apo trajtimit për kancerin e gjirit.

Po, në Ballkan, lufta kundër kancerit të gjirit vjen me një tufë sfidash shtesë, që gratë, duhet t'i kalojnë çdo ditë, dhe, rreth këtij rrugëtimi, për TRT Balkan, flet Ida Laçi, e mbijetuar nga kanceri i gjirit, e cila shpjegon përvojën e saj nga momenti i diagnostikimit, e deri tek momenti të cilin, ajo e quan “më të rëndësishmin” në këtë rrugëtim.

“Ishte krejt rastësisht. Unë ushtroja në atë kohë, e mendova mos kam ndonjë ndezje muskujsh. Me insistimin e familjarëve të mi, shoqes sime, unë vendosa të shkoj të bëj një kontroll. Herën e parë më thanë se nuk është gjë, pasi më bënë mamografinë, e zbuluan se ka diçka. Ky hap imi më ka shpëtuar. Nga të gjithë faktorët e rëndësishëm që e shtyjnë para një grua në këtë rrugë jo aq të lehtë, është edhe motivimi. Të fokusohen vetëm në shërimin e tyre, të kenë forcën që ta luftojnë çdo mendim negativ. Duhet të gjejnë motivin brenda vetes dhe mendoj se çdo grua e ka.” tha ajo!

Tetori mund të jetë vetëm një muaj simbolik i ndërgjegjësimit, por lufta për shëndetin dhe jetën është një përpjekje e përhershme për Liridona Beqirin dhe Donjeta Zeqan, të cilat udhëheqin shoqatat e tyre për ndërgjegjësimin e shëndetit dhe kancerit të gjirit, njëra në Maqedoninë e Veriut, e tjetra në Shqipëri, dhe të cilat ndajnë qëllimet e tyre si shoqata për të ardhmen e kësaj çështjeje.

“Është një luftë, një betejë paralele që ne e bëjmë për ta ngritur vetëdijen e mentalitetit dhe për të ngritur vetëdijen e koshiencës ndaj kësaj sëmundjeje. Prandaj, ne si shoqatë kemi marrë një iniciativë, ku do ta përmendim edhe në seancën në kuvend që në buxhetin e shtetit të parashikohet një mamograf i lëvizshëm i cili do të mund të udhëtojë në zonat rurale. Që t’u ofrohet shërbimi i mamografëve të lëvizshëm deri në shtëpitë e tyre. Një ide e tillë do të kishte sjellë zvogëlimin e numrit të dukshëm të pacientëve” tha Liridona Beqiri, nga Shoqata EZRA

Nërkohë Donjeta Zeqa nga Shoqata Europa Donna Albania, thekson se kërkojnë të jenë pjesë e trajtimeve më inovative, sepse kryesisht kanceri i gjirit, është ndër më të mbuluariit në Shqipëri.

“Sa i takon trajtimit, mund të themi që kanceri i gjirit (në Shqipëri) është më i mbuluar se llojet e tjera të kancerit, megjithatë ende vuajmë për trajtime inovative si çdo qytetarë evropian. Tashmë shëndetësia, onkologjia, shkencëtarët në këtë fushë po punojnë që të përmirësohet cilësia e jetesës së vajzave dhe grave me kancer të gjirit. Tashmë nuk flasim më për trajtime bazike, sepse ato janë arritur me kohë e me vite.” theksoi ajo.

Sipas mjekëve, simptomat si ënjtje në gji, shfaqja e ndonjë gjëndre apo kokërr, ndryshime të lëkurës së gjirit, dhimbje në gji apo çdo ndryshim tjetër i pazakontë, janë simptoma që duhet menjëherë të adresohen te mjeku.

Dhe, për fund, sa nga ne kanë bërë një kontroll të plotë këtë vit?

TRT Balkan
Kjo faqe përdor cookies. Duke vazhduar të shfletoni faqen, ju pranoni përdorimin e cookies.Politika e Cookies
Pranoj