Përurohet restaurimi i Xhamisë “Alauddin” në Prishtinë       / Foto: AA

Zv/ministri i Kulturës dhe Turizmit i Türkiyes Serdar Çam, Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ambasadori i Türkiyes në Kosovë Sabri Tunç Angılı, ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, si dhe mysafirë të tjerë morën pjesë në ceremoninë e inagurimit.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i cili u informua për punën nga zv/ministri turk Çam përshëndeti pjesëmarrësit përmes një video-mesazhi.

Zv/ministri Çam teksa informoi për punën e kryer, ndër tjerash, njoftoi se xhamia e restauruar në Prishtinë daton 500 vjet më parë.

“I nderuari president, në kuadër të udhëzimeve që dhatë për ringjalljen dhe restaurimin e Xhamisë Emir Alauddin, e cila u ndërtua rreth 500 vjet më parë, ajo u ringjall si rezultat i punës së kujdesshme të kryer nga Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Fondacioneve, me kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe mbështetjen e Republikës së Kosovës dhe iu dorëzua Bashkësisë Islame të Kosovës për t'ua përcjellë brezave të ardhshëm”, deklaroi Çam.

Ceremonia u mbyll me vizitën e të ftuarve në xhaminë e restauruar. Restaurimi i kësaj xhamie, që mori rreth tre vite kohë, përfshinë pjesën e brendshme dhe atë të jashtme të xhamisë, banjot dhe abdeshanen, si dhe oborrin e xhamisë.

Xhamia “Alauddin” (Emir Alaeddin), e cila gjendet në një nga lagjet e vjetra të kryeqytetit kosovar, u ndërtua në gjysmën e parë të shekullit XVl dhe i përket periudhës osmane. Kjo lagje që sot quhet “Vellusha” dikur njihej me emrin e xhamisë, si lagjja Alauddin.

Për shkak të vjetërsisë së ndërtimit të saj, xhamia “Alauddin” ndër vite është restauruar disa herë. Për herë të parë, ajo u renovua në vitin 1987 e më pas në vitin 1997.

TRT Balkan / agjencitë