Presidenti i KPN-së zhvillon vizitë zyrtare në Kosovë.     /Foto: AA

Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ka mbajtur konferencë për media bashkë me presidenten e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovë, Njomza Emini, tha se ka qenë një rrugë shumë e gjatë deri në plotësimin e kritereve për anëtarësimin e Komitetit Paralimpik të Kosovës në organizatat botërore.

Emini, përpos anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, tha se me Parsons janë dakorduar edhe për shumë bashkëpunime të tjera.

"Ne veç u dakorduam edhe për shumë bashkëpunime të tjera që do t'i fillojmë që nga nesër. Kjo është një përgjegjësi shtesë, por edhe një moment historik pasuar edhe me takimin e Parsons me krerët tanë qeveritarë ku u prezantuan vlerat paralimpike nga kudo në botë", theksoi Emini.

Parsons i cili paraprakisht është takuar edhe me nivele të qeverisjes në Kosovë gjatë vizitës së tij treditore, tha se nga vizitat dhe takimet e tij ka kuptuar më shumë rreth sfidave dhe rrugës që e pret përpara Komitetin Paralimpik të Kosovës.

Ai tha po ashtu se vizita do të shërbejë edhe për ta ndihmuar lëvizjen paralimpike në Kosovë.

"Për të parën herë ju do ta shihni edhe flamurin tuaj më 28 gusht në Champs-Elysees, në bulevardin e njohur botërisht dhe do të jetë nder për ne që të shohim edhe flamurin tuaj aty. Jemi me shpresë që të shohim rezultate dhe medalje nga Kosova, por më e rëndësishmja është që flamuri juaj të jetë atje, pavarësisht a fitoni medalje apo jo. Do të jeni në gjendje të shihni dhe kuptoni të gjithë ata që i përkasin këtij komuniteti", tha Parsons.

Parsons shtoi se sportistët paralimpikë nuk duhen të konsiderohen si qytetarë të rendit të dytë, por të rendit të parë dhe këtu theksoi se edhe themeluesi i komitetit paralimpik para 70 viteve kishte thënë që ëndrra e tij është që një ditë sportistët paralimpikë të jenë të barabartë me sportistë të tjerë.

Komiteti Paralimpik i Kosovës u bë pjesë e Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar në gusht të vitit 2023. Me këtë rast sportistëve me aftësi të kufizuara u mundësohet tani pjesëmarrja në Lojërat Paralimpike - Paris 2024, për herë të parë, si dhe në kampionate të tjera evropiane dhe botërore.

Kosova në "Paris 2024" do të përfaqësohet nga dy sportistë paralimpikë nga disiplina e atletikës, Grevist Bytyqi dhe Vjollca Hoxha.

TRT Balkan / agjencitë