Presidenti serb Vuçiq takon shefen e UNMIK-ut, Karolin Zijade.     /Foto: AA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe shefen e UNMIK-ut, Karolin Zijade.

Nëpërmjet rrjeteve sociale Vuçiq tha se kanë zhvilluar një bisedë konstruktive me Ziadeh. "Kam informuar lidhur me problemet, presionin dhe kërcënimet e sigurisë me të cilët përballen serbët e Kosovës", tha ai.

Duke tërhequr vëmendjen se Serbia vepron për të garantuar paqen dhe sigurinë në çdo mënyrë, Vuçiq shtoi se në këtë rrugë respektohen edhe dispozitat e OKB-së. Ai theksoi se kanë të njëjtin mendim se e ardhmja e rajonit të Ballkanit do të përmirësohet nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit ekonomik.

Zijade ka deklaruar se mbështet procesin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe ka vënë theksin se institucionet ndërkombëtare për çështjen e Kosovës duhet të informohen edhe nga terreni.

Marrëdhëniet Serbi-Kosovë

Pavarësisht se Kosova njihet si shtet nga 117 vende, për shkak të tensioneve etnike që vazhdojnë në veri dhe për shkak të pamundësisë për t'u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara (OKB), ajo cilësohet si një nga "zonat e ngrira të konfliktit në Evropë".

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e saj.

Serbia dhe Kosova të cilat herë pas herë vendosen përballë njëra-tjetrës, në kuadër të procesit të dialogut Beograd-Prishtinë të filluar në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, po përpiqen të gjejnë një rrugë të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund që dy vendet të njohin njëra-tjetrën.

TRT Balkan / agjencitë