Presidentja Osmani apelon për regjistrim masiv të shqiptarëve në Serbi.     Foto: Vjosa Osmani/Facebook

Përfaqësuesit politik dhe institucional të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, sot janë pritur në takim zyrtar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Temë diskutimi në këtë takim siç njoftoi presidentja Osmani, ka qenë procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi.

“Pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në regjistrimin e popullsisë është kundërpërgjigje paqësore kundër politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative”, shkruan në Facebook, presidentja Osmani.

Me rëndësi, sipas presidentës Osmani, është që në këtë proces të përfshihet edhe diaspora.
“Është në interes të të gjithë bashkëkombësve tanë në këto treva që numri i përgjithshëm i popullsisë të jetë reflektues i vërtetë i shqiptarëve, gjë që do të mundësojë rritjen e përfaqësimit politik, e rrjedhimisht, më shumë të drejta për ta”, shkruan Osmani. Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, pas takimit tha se koordinimi i politikës shqiptare në Luginë të Preshevës me institucionet e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë është rruga e vetme e mbrojtjes së interesave shqiptare në Luginë.

Ndryshe, procesi i regjistrimi të popullsisë në Serbi ka filluar me 1 dhe do të përfundojë më 31 tetor. Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave të Serbisë, për 20 ditët e para janë regjistruar 4.7 milionë qytetarë në Serbi.

TRT Balkan