“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mundëson mbrojtje të avancuar të të drejtave të njeriut”, ka thënë presidentja Osmani gjatë një takimi me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.
Osmani ka theksuar se është koha që edhe raportet e Kosovës me BE-në duhet të ngrihen në nivel tjetër.
“Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Kosova mishëron vlerat evropiane, ndaj, në këtë frymë ka pasur angazhim të vazhdueshëm që legjislacioni ynë është në harmoni me ligjet e BE-së. Është momenti i duhur që ta marrim statusin e vendit kandidat”, tha Osmani.
Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe të fushës së sigurisë, interesat e përbashkëta dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit.
Me këtë rast u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, teksa presidentja Osmani falënderoi kryeministrin Varadkar për mbështetjen e palëkundur në përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.
Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Tutje, ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje drejt anëtarësimit final në Këshillin e Evropës, BE, por edhe në organizata ndërkombëtare.
Në raport me zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani theksoi se Kosova tashmë ka bërë hapa përmbajtësorë në deeskalimin e situatës në veri, ndaj i cilësoi masat ndëshkuese të BE-së joproporcionale dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin e Irlandës kundër këtyre masave dhe përsëriti thirrjen për heqjen e tyre, ngase masat aktuale në fuqi kundër Kosovës janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.
Për sa i përket situatës së sigurisë, presidentja Osmani tha se mungesa e masave kundrejt Serbisë në lidhje me sulmin terrorist dhe aktin e agresionit të 24 shtatorit në Banjskë vetëm se e inkurajon atë për të bërë sërish veprime të ngjashme, që cenojnë jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por edhe rajonin.
Ndryshe, kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, i cili ndodhet në vizitë dyditore në Kosovë, gjatë ditës është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.