Prishtina me reformë në arsim, nga shtatori me mësim tërëditor/      Foto: Kosovapress

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga shtatori do të nisin mësimin tërëditor nga klasa e parë deri në klasën e nëntë në pesë shkolla. Drejtues të kryeqytetit dhanë detaje duke thënë se është reforma arsimore më e madhe e nisur ndonjëherë në kryeqytet.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media tha se po realizojnë një nga premtimet më të rëndësishme në fushën e arimit.

“Nga shtatori do të fillojmë mësimin tërëditor për nxënësit e shkollave të kryeqytetit. Reforma arsimore më e madhe e nisur ndonjëherë në kryeqytet këtë shtator do të jetësohet falë punës së nënkryetares dhe drejtoreshës së Arsimit, Jehona Lushaku… për muaj të tërë ne kemi analizuar shtrirjen e shkollave në kryeqytet dhe mundësinë që shkollat të ofrojnë mësim me orarë të zgjatur e të kombinuar me aktivitete ekstra kolikulare. Për të realizuar këtë synim ne kemi shpallur mësimin tërëditor, prioritet të këtij viti dhe kemi investuar në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, krijimin e hapësirave shtesë, sigurim të shujtave, në staf të kualifikuar për aktivitete dhe sigurim të mjeteve didaktike. Ky vendim është dëshmi e përkushtimit tonë primar në arsim”, tha Rama.

Sipas tij, mësimi tërëditor do të ndikojnë në komunikacion, sepse nuk do të ketë lëvizje nga prindërit në mesditë, por gjithashtu prindërit do të kenë më pak stres dhe do të kenë mundësi të punojnë edhe në pjesën tjetër të ditës.

Nënkryetarja dhe drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku, tha se fillimi i këtij procesi nuk ka qenë i lehtë për shkak të ngarkesave që kanë nëpër shkolla.

Sipas saj, me mësimin tërëditor realizohet më mirë kolikula bazë dhe shoqërohet me aktivitete rekreative që e shndërrojnë shkollën në një shtëpi të dytë për nxënësit në ata do të dëshironin të vinë. E gjithë kjo tha se ka për qëllim ngritjen e cilësisë.

Lushaku sqaroi se kanë ndarë shkollat fizikisht me qëllim që t’u krijohet më shumë hapësirë klasave nga 1 deri në 5, dhe kështu klasat nga 6 deri në 9 i kanë lëvizur në shkolla të tjera më të afërta.

Aty u theksua se orari për klasat e para dhe të dyta përfundon rreth orës 14:00, orari për klasën 3 deri në 5 rreth orës 15:45 minuta.

Dreka është e nxehtë dhe do t’i kushtojë komunës rreth 1.7 milion euro për vit.

TRT Balkan / agjencitë