Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosova (Youth Initiative for Human Rights) me një aksion simbolik rrugor të titulluar “Shtegu i Kujtesës” ka shënuar Ditën Botërore të Refugjatëve.
Instalacioni, që u vendos në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ekspozon objekte që simbolizojnë ato që refugjatët e larguar nga Kosova gjatë luftës së fundit 1999 bartnin me vete gjatë zhvendosjes.
Bjeshka Guri nga YIHR-ja për Anadolu tha se lodra të fëmijëve dhe pjesë të veshjeve të mbledhura nga aktivistë të organizatës janë ekspozuar në shenjë kujtimi të përvojës së mijëra refugjatëve të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë luftës në Kosovë.
“Përmes këtij aksioni, ne u përpoqëm të tregojmë në mënyrë simbolike kujtimet tona që janë ende të varura pasi që ajo periudhë asnjëherë nuk është përkujtuar dhe trajtuar me prioritet prej qeverisë pasi si temë nuk e ka vendin e duhur në diskursin publik. Narrativa dominuese në Kosovë është se vetëm nëse ke luftuar përvoja jote ka vlerë, ndërsa përvoja e civilëve mbetet në margjinat e kujtesës kolektive”, thotë Guri.
Në luftën e fundit të Kosovës konsiderohet se rreth 1 milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, por edhe në vende të tjera.