Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës (QKMK) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës që të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në pikëkalimet kufitare me Serbinë.
Në njoftim thuhet se ky apel vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi se më 6 shtator 2024, planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.
“Njoftohen të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe pjesëtarët e mërgatës që planifikojnë të kalojnë tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në Pikëkalimet Kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të ashtuquajturit ‘Këshill Organizativ për Bllokada’ në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 Shtator 2024, planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt PKK-së me Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.
Me tutje, thuhet se autoritetet kompetente të Kosovë në bashkëpunim me partnerët, i kanë marrë të gjitha veprimet për menaxhim të situatës së paralajmëruar dhe ju inkurajojnë që të ndiqni me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informoheni vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.