Qytetarëve të Kosovës edhe më tej u duhen viza për kalim në BeH.    / Photo: TRT Balkan

Në internet janë paraqitur informacione se nga 3 nëntori, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza dhe vetëm me letërnjoftime në Bosnjë e Hercegovinë, që mund të shkaktojë huti dhe situata të tilla që shtetasit e Kosovës të kthehen nga kufijtë e BeH.

Policia kufitare e Bosnjë e Hercegovinës thonë se këto informata nuk janë të sakta.

“Sipas vendimit për vizat, parashikohet që bartësit e dokumenteve me mbishkrim ‘Republika e Kosovës’ duhet patjetër të marrin viza të Bosnjë e Hercegovinës, e cila nuk mbahet në dokumentet e udhëtimit, por jepet si fletë e veçantë dhe në procedurë të veçantë. Duke marrë parasysh këtë, njoftojmë se qytetarët e Kosovës nuk mund të përdorin letërnjoftime për kalimin e kufijve të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Franka Vican Boshkoviq, zëdhënëse e policisë kufitare të Bosnjë e Hercegovinës.

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, më 3 nëntor në Berlin firmosën marrëveshje për udhëtim vetëm me letërnjoftime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por kjo marrëveshje do të fillojë të zbatohet në momentin që ratifikohet në vendet nënshkruese.

Në rastin e Bosnjë e Hercegovinës, kjo do të thotë se mamrrëveshja duhet të marrë dritën jeshile nga Parlamenti, pra në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Dhomën e Popujve.

Duke marrë parasysh se aktualisht është në proces konstituimi i pushtetit të ri, Dhoma e Popujve e Parlamentit të BeH-së me shumë mundësi do të konstituohet në fillim të vitit të ardhshëm, 2023.

Deri atëherë, siç shpjegohet, në fuqi janë marrëveshjet dypalëshe për kalimin e kufijve vetëm me letërnjoftim, që Bosnjë e Hercegovina i ka në mënyrë reciproke me Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, BeH prej vitit 2004 u kërkon qytetarëve të Kosovës të pajisen me viza në rast të vizitës së këtij shteti. Masa më rigoroze janë vendosur pas vitit 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë. Përderisa nga viti 2014 një masë e reciprocitetit për viza me BeH është vendosur edhe nga Kosova.

TRT Balkan / agjencitë