Ministri i jashtëm kroat, Gordan Grlić Radman, në takimin e krerëve të diplomacisë së vendeve anëtare të BE-së është shprehur mbi pozicionimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor sa i përket anëtarësimit në BE.
Ai më tutje ka nënvizuar se është e domosdoshme që këto shtete duhet të vendosin restriksione ndaj Rusisë.
“Ne presim që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të harmonizojnë politikat e tyre të jashtme me ato të Bashkimit Evropian dhe të vendosin sanksione kundër Rusisë”, tha Grlić Radman pas mbërritjes në takimin e krerëve të diplomacisë së vendeve anëtare të BE-së.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe refuzon të rreshtohet me politikën e jashtme të BE-së.
Në agjendën e takimit ministror është diskutimi i agresionit rus kundër Ukrainës, Ballkanit Perëndimor, situatës në rajonin e Liqeneve të Mëdha dhe çështja e sanksioneve ndaj Iranit për shtypjen e protestave në atë vend.
Mes tjerash Radman, foli edhe për Bosnjë e Hercegovinën, dhe shtoi se liderët e vendit pritet të formojnë shpejt një qeveri në të gjitha nivelet, të marrin përgjegjësinë për punën, për reformat kushtetuese dhe zgjedhore dhe të gjitha reformat e tjera, në mënyrë që vendi të marrë statusin e kandidatit deri në fund të këtij viti.
“Kroacia mbështet plotësisht dhënien e BeH të statusit të një vendi kandidat,” tha Grliç Radman.
Gjithashtu mbështetje për BeH premtoi edhe ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon, duke shtuar se e mbështesin dhënien e statusit të "vendit kandidat".
Ajo tha se në takim do të diskutohet edhe për zhvillimet në vendet e Ballkanit Perëndimor. "Shpresoj që BE-ja t'i japë BeH-së statusin e 'vendit kandidat' deri në fund të vitit. Ndjej se atje është mbështetje më e madhe në këtë drejtim sesa në të kaluarën", tha Fajon.
Shefja e diplomacisë sllovene potencoi se janë të shqetësuar për zhvillimet në Kosovë dhe se nuk janë të kënaqur me "impotencën politike" në Mal të Zi.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell tha para fillimit të takimit se i takon Ukrainës të vendosë se kur është koha për të hyrë në bisedimet e paqes me Rusinë.