Rajoni në ethet e zgjedhjeve  /             Foto: TRT Balkan

Viti 2025 sjell një periudhë të ngarkuar dhe të rëndësishme për Ballkanin, pasi disa shtete të rajonit do të kalojnë nëpër procese zgjedhore të cilat do të ndikojnë në të ardhmen politike dhe sociale të këtyre vendeve. Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia janë disa nga shtetet që do të mbajnë zgjedhje këtë vit, duke ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

Kosova në zgjedhje parlamentare

Më 9 shkurt të 2025, Kosova do të mbajë zgjedhjet parlamentare, të cilat do të shënojnë ciklin e 9-të zgjedhor në historinë e shtetit. Kjo është një ngjarje e rëndësishme për vendin, pasi shënon një përparim në procesin demokratik ku për herë të parë, një qeveri ka arritur ta plotësojë mandatin e plotë 4-vjeçar.

Edhe pse akoma nuk ka filluar fushata zgjedhore, partitë politike kanë nisur takimet me qytetarët ku kërkojnë mbështetje për ofertat e tyre në të cilat oferta në mënyrë dërmuese dominon oferta për integrim të Kosovës në Bashkimin Europian dhe përballim me situatën e sigurisë.

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Në Shqipëri, zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 11 maj të 2025, ku qytetarët shqiptarë do të drejtohen për t'i zgjedhur partitë politike që do të qeverisin vendin për katër vitet e ardhshme. Këto zgjedhje janë të 11-ta parlamentare që nga përmbysja e regjimit komunist dhe konsiderohen si një hap i rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e institucioneve demokratike në vend.

Kur nga fushata na ndajnë edhe disa muaj, partitë politike kanë filluar përgatitjet e fushatës zgjedhore, duke intensifikuar aktivitetet e tyre.

Maqedonia e Veriut - në tetor mban zgjedhjet lokale

Maqedonia e Veriut po përgatitet për zgjedhjet lokale të vitit 2025, ku qytetarët do të zgjedhin kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunalë. Zgjedhjet, që pritet të mbahen në shtator apo tetor të vitit 2025, do të jenë të 8-ta me radhë që nga shpallja e pavarësisë së vendit.

Dita e saktë e zgjedhjeve do të caktohet nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, dhe ato do të jenë një mundësi për qytetarët të zgjedhin udhëheqësit lokalë që do të drejtojnë komunat për katër vitet e ardhshme.

Kroacia - 12 janari vendimtar për presidentin

Në Kroaci, zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 12 janar 2025, kur do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për presidentin e ri të vendit.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e raundit të parë sipas të dhënave nga autoriteti zgjedhor, ishte 46 për qind.

Raundi i parë u mbajt më 29 dhjetor 2024, por asnjëri nga kandidatët nuk arriti të fitojë mbi 50% të votave, duke çuar në nevojën për një raund të dytë për ta vendosur presidentin e ardhshëm të Kroacisë.

TRT Balkan