Raportet Kosovë-Serbi gjatë vitit 2022, më të tensionuarat që pas luftës.     Foto: AA

Viti 2022 ishte viti i kulmimit të tensioneve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkombëtarët kanë shtuar trysninë për zgjidhje të qëndrueshme mes dy vendeve, sidomos pas luftës në Ukrainë.

Nga ana tjetër, Prishtina dhe Beogradi me veprime të ndryshme kanë ndikuar në tensionimin e marrëdhënieve, edhe ashtu të brishta mes të dyja vendeve.

TRT Balkan ju jell një vështrim të dinamikës së ngjeshur të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit që po lëmë pas.

Vendimi për targat

Vendimi i Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për reciprocitet për targat e automjeteve, i sjellur në vitin 2021, ishte mollë sherri mes dy vendeve thuajse gjatë gjithë vitit 2022. Kurti ishte i vendosur që të shtrijë sundimin e ligjit në çdo cep të Kosovës, përfshirë veriun e vendit, duke ndaluar targat ilegale që përdorin serbët e Kosovës.

Kjo nxiti pakënaqësi te serbët lokalë, të cilët me protesta dhe barrikada kundërshtuan vendimin.

Pas disa shtyrjeve të zbatimit të vendimit nga Qeveria e Kosovës për shkak të tensioneve në veri, më 23 nëntor palët arritën marrëveshje në Bruksel për këtë çështje. Marrëveshja e publikuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, parashikon që Serbia të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

Referendumi i Serbisë nuk u lejua në Kosovë

Viti nisi me përplasje edhe rreth Referendumit për ndryshime kushtetuese në Serbi. Beogradi synonte ta organizojë referendumin edhe në Kosovë, në komunat ku jeton pakica serbe. Qeveria e Kosovës nuk lejonte një gjë të tillë, pasi kjo do të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Përkundër insistimeve nga faktori ndërkombëtar që të lejohet votimi në vendbanimet serbe, më 15 janar Kuvendi i Kosovës me 76 vota pro miratoi rezolutën kundër lejimit të organizimit të referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Si përfundim, serbët e Kosovës votuan në 4 komuna në jug të Serbisë, me vendim të Komisionit të Zgjedhjeve në Beograd.

Zgjedhjet e Serbisë nuk u lejuan në Kosovë

Pas referendumit, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe të 3 prillit ishin testi i radhës për Qeverinë e Kosovës. Por, përkundër këmbënguljes së Serbisë, Qeveria e Kosovës sërish nuk lëshoi pe, duke ndaluar organizimin e zgjedhjeve serbe në territor të saj.

Ngjashëm si me referendumin, një pjesë e qytetarëve etnikë serbë nga Kosova votuan në disa komuna në jug të Serbisë.

Propozimi “franko-gjerman”

Dialogu politik i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk dha ndonjë rezultat konkret gjatë vitit 2022. Palët mbetën të vendosura në qëndrimet e tyre, të cilat nuk piqen në asnjë pikë, duke shterruar hapësirën për kompromis.

Për të zgjidhur këtë ngërç, bashkësia ndërkombëtare përgatiti një draft propozim të saj për zgjidhje të qëndrueshme të kontestit mes Kosovës dhe Serbisë. Fillimisht i përmendur jozyrtarisht në shtator si propozim i Francës dhe i Gjermanisë, e më pas i përvetësuar si propozim i diplomacisë së BE-së, propozimi për zgjidhjen mori edhe përkrahjen e ShBA-së.

Media të ndryshme ndërkombëtare dhe të rajonit kanë publikuar përmbajtjen e propozimit “franko-gjerman”, por ajo përmbajtje nuk u konfirmua në rrugë zyrtare.

Edhe Prishtina, edhe Beogradi kishin vërejtjet e tyre ndaj propozimit. Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë para se të flasë për çfarëdo propozimi. Kosova nga ana tjetër kërkon që çështja e Asociacionit të trajtohet brenda pakos për zgjidhje përfundimtare.

Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës

Në vazhdën e tensioneve për targat e automjeteve, Policia e Kosovës kishte suspenduar drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, për shkak të refuzimit që të zbatojë urdhrin për riregjistrimin e makinave me targa ilegale.

Serbët e Kosovës iu përgjigjën këtij veprimi me një vendim radikal. Në një takim të mbyllur në Zveçan, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë vendosën të tërhiqen nga të gjitha institucionet, përfshirë Kuvendin, Qeverinë, katër komunat në veri të Kosovës, por edhe gjyqësorin, policinë dhe institucionet e tjera administrative.

Lista Sërpska, partia përfaqësuese e serbëve të Kosovës, në Qeverinë e Kosovës u zëvendësua nga pjesëtari i komunitetit serb Nenad Rashiq, që nxiti pakënaqësi të tjera në Beograd dhe te serbët lokalë.

Në ndërkohë, ashtu siç e parashikon procedura, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shpalli zgjedhje në 4 komunat serbe ku u tërhoqën kryetarët. Por, për shkak të tensioneve në rritje, zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut të parashikuara të mbahen më 18 dhjetor, u shtynë për në prill të vitit të ardhshëm.

Tensionet dhe barrikadat

Policia e Kosovës më 10 dhjetor arrestoi ish-policin Dejan Pantiq në vendkalimin kufitar Jarinjë. Ndaj Pantiqit u ngritën akuza për terrorizëm dhe cenim të rendit kushtetues të Kosovës.

Serbët e veriut të Kosovës iu kundërpërgjigjën arrestimit duke vendosur barrikada në veri, të cilat paralizuan vendkalimet kufitare me Serbinë.

Pas 18 ditëve tensione, një gjykatës i procedurës paraprake më 28 dhjetor firmosi zëvendësimin e masës së paraburgimit për Pantiqin me paraburgim shtëpiak.

Gjatë kësaj periudhe, Beogradi ashpërsoi retorikën ndaj Kosovës. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq madje tha se do të kërkojë nga KFOR-i leje për kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, sipas tij, për të mbrojtur popullatën lokale serbe.

Kundër këtyre paralajmërimeve u shpreh i prerë i përfaqësuesi i Stejt Departamentit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se ShBA-ja nuk e mbështet aspak kthimin e forcave të armatosura serbe në Kosovë.

Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia po hyjnë me marrëdhënie të brishta, tensione dhe retorikë të ashpërsuar. Sipas të gjitha paralajmërimeve, bashkësia ndërkombëtare do të këmbëngulë që të arrijë progres konkret drejt marrëveshjes përfundimtare gjatë vitit që po vjen.

TRT Balkan