Kosova ka nisur procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, ndërsa në kuadër të këtij procesi po regjistrohet edhe diaspora.
Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, u ka bërë thirrje të gjithë pjesëtarëve të diasporës që të regjistrojnë veten dhe anëtarët e tyre të familjes, si dhe të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për planifikimin e së ardhmes së përbashkët.
“Ju jeni pjesë e pandashme e Kosovës prandaj në këtë regjistrim synojmë që të përfshihen jo vetëm qytetarët që banojnë brenda edhe të gjithë ato që banojnë jashtë kufijve të vendit. Regjistirmin mund ta bëni shpejt dhe lehtë përmes platformës “Ediaspora” që kemi krijuar”, theksoi ministrja Gërvalla në videon e thirrjes së publikuar në rrjetin social Facebook.
Regjistrimi i Popullsisë në Kosovë realizohet nga data 5 prill deri më 17 maj 2024, ndërsa konsiderohet një nga proceset më të rëndësishme që pritet t’i kontribuojë zhvillimit të vendit.