Rënia e kulmit të Komunës së Prishtinës, arrestohen dy persona      / Foto: KosovaPress

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se janë arrestuar dy persona që lidhen me rastin e rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” më 18.01.2024.

Sipas njoftimit, njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër është person përgjegjës i Kompanisë punuese për vend punishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B.

"Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e rënies së çatisë të objektit të Kadastrit të Komunës së Prishtinës, më 18.01.2024, ku si pasojë e kësaj ngjarjeje mbeti e lënduar rëndë një qytetare e Republikës së Kosovës dhe gjendja e saj shëndetësore mbetet ende kritike, si dhe në këtë ngjarje u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, me ç’rast në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i Kompanisë punuese për vendpunishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B.", thuhet në njoftim.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama deklaroi se ka kërkuar ekspertizë urgjente, sa i përket rrëzimit të kulmit të objektit të komunës.

Ai theksoi se një gjë e tillë nuk po ndodh për herë të parë, për çka përmendi edhe rastin e vitit 2017.

Rama në konferencë për media shtoi se ka ftuar ekspertë të fushës për vlerësim dhe ekspertizë urgjente.

TRT Balkan / agjencitë