Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se pakoja e subvencionimit të energjisë elektrike për konsumatorët që e kursejnë atë në krahasim me muajt e njëjtë të vitit të shkuar do të përfundojë me faturat e këtij muaji.
Murati tha se subvencionimi u bë nga ana e Qeverisë për t'u dalë në ndihmë qytetarëve si pasojë e krizës energjetike kryesisht për shkak të agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë.
Ai ka bërë të ditur se tre muajt e parë shtator-tetor-nëntor subvencionet janë mbuluar nga buxheti i shtetit, ndërsa për katër muaj të tjerë të sezonit dimëror subvencionet janë mbuluar nga pakoja e fondeve prej Bashkimit Evropian (BE) me 15 milionë euro.
Ministri kosovar ka thënë se përfitues nga subvencionet kanë qenë rreth 200 mijë familje çdo muaj. Sipas tij, po të mbahej ritmi i vitit të kaluar, Kosova do të detyrohej të importonte shtesë rreth 88 milionë euro.
"Pra, nëpërmjet kësaj mase, mund të themi që kemi kursyer 88 milionë euro nga importi, janë mjete të cilat nuk janë dërguar jashtë vendit dhe nuk është importuar energji elektrike, por për më tepër është kursim për taksapaguesit, kursim për qytetarët si dhe pjesa e subvencionit që qytetarët kanë pranuar në llogaritë e tyre (në vend që paguajnë faturën e plotë kanë paguar më pak ata që kanë kursyer) i bie që edhe fuqia blerëse e tyre është rritur", ka thënë ai.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se plani i subvencionimit për ata që e kursejnë energjinë elektrike ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në implementim.
"Të kursesh energji elektrike është mënyra më e lirë, më e sigurt dhe më e pastër për ta kapërcyer krizën. Ne mundemi të gjithë të përfshihemi në reduktimin e shpenzimit të energjisë elektrike nga konsumatorët individualë dhe bizneset në të gjithë sektorët industrialë", theksoi Szunyog.
Szunyog tha se BE-ja përkrah Kosovën në rrugën e saj të dekarbonizimit të ambientit dhe në sigurimin e energjisë.
Më 1 prill të këtij viti është shtrenjtuar energjia elektrike për 15,4 për qind dhe kjo është hera e dytë që shtrenjtohet në harkun kohor prej 14 muajsh.
Herën e fundit që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kishte miratuar rritjen e tarifave ishte në shkurt të vitit 2022, ku nga ky vendim u prekën konsumatorët shtëpiakë dhe komercialë që shpenzonin mbi 800 kilovatë në orë.