Serbët protestojnë kundër ndalimit të dinarit si valutë në Kosovë /Foto: AA

Mijëra qytetarë nga komuniteti serb në Kosovë janë mbledhur për të protestuar në Mitrovicë të Veriut duke kundërshtuar Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila e ndalon operimin me dinarin serb në Kosovë.

Qytetarët të cilët u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit të Mitrovicës së Veriut mbajtën disa pankarta me mesazhe, ndër të cilat ishin edhe “Pa përfitime sociale nuk do të kemi as ushqim”, “Evropë, hapi sytë”, “Pensionin e kam marrë gjithë jetën, nuk do t’ia jap Kurtit”, e të tjera.

Në krye të protestës e cila u organizua nga Shoqata e Pensionistëve të Bashkuar u panë edhe zyrtarë politikë nga partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe.

Nga protesta iu bë thirrje BE-së “që të mbrojë popullin serb që ka të drejtë të marrë paga dhe pensione nga Serbia”, edhe pse me vendimin e ri të BQK-së, atyre u lejohet marrja e pensioneve nga Serbia vetëm në euro, por jo dhe në dinarë.

Dushanka Gjoroviq nga Shoqata e Pensionistëve të Bashkuar vlerësoi se vendimi i BQK-së për heqjen e dinarit serb, siç tha ajo, e bën të pamundur tërheqjen e pensioneve nga Serbia për serbët e Kosovës dhe shoqatat e tjera, gjë që sipas saj nënkupton heqjen e “një copë buke” për ta.

Ajo i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta dëgjojë apelin e tyre për ndërprerje të vendimit.

“Nga ky vend dua t'ua shpalosë gënjeshtrën të gjithëve, është një gënjeshtër e madhe që ne mund të hapim llogari në disa banka të Kosovës dhe të rrisim pensionet. Ato banka nuk e njohin pagesën e parave, hyrjen e parave në bazë të vendimeve për pensionet tona të marra nga Fondi i Pensioneve të Serbisë (PIO), pra nuk e njohin PIO-në serbe”, tha Gjoroviq.

Svetllana Steviq, menaxhere e një kuzhine kombëtare në Kosovë, pyeti se si do të jetojnë serbët pa dinarë.

“Thonë se paratë tona janë të ndaluara, ne po mundohemi të ushqejmë fëmijët tanë, a nuk na dëgjon njeri të qarat, apo ndoshta i dëgjojnë por nuk u intereson. Ne jemi një popull që i kemi mbijetuar çdo gjëje dhe do ta mbijetojmë edhe këtë”, tha Steviq.

Në mesin e folësve ishte Dragisha Millojeviq, mjeke dhe anëtare e Listës Serbe, e cila i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të anulojë vendimin për dinarin dhe theksoi se sipas Marrëveshjes së Brukselit, Serbia ka të drejtë të financojë qytetarët e saj në Kosovë. Ajo përkujtoi se marrëveshja parasheh formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila ende nuk është zbatuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më herët u ka adresuar një mesazh qytetarëve nga komuniteti serb, të cilëve u ka thënë se mënyra se si qarkullonte dinari serb në Kosovë deri para 1 shkurtit 2024, ua mundësonte grupeve kriminale të forconin ndikimin mbi popullin serb dhe t’i frikësonin ata.

Ai tha se Kosova nuk e ndaloi dinarin, as valutat e tjera, por që, “i vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro”, ngase, sipas Kurtit, “kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave”.

AA